“Kjo është parcela e cila është ndarë për ndërtimin e shkollës fillore në Reçicë të Vogël. Edhe pse vite të tëra, autoritetet e komunës së Tetovës e kanë premtuar të njëjtën, parcela ka mbetur bosh dhe është kështu siç po shihet në pamjet e kapura nga kamera jonë”, Mevludin Imeri, gazetar.
Për ndërtimin e kësaj shkolle, është nënshkruar edhe peticion në të cilin janë nënshkruar mbi 400 familje të kësaj zone. Amet Ali Rexhepi, kryetar i këshillit iniciues për ndërtimin e shkollës tha se iniciativa për ndërtimin e shkollës daton nga viti 2007. Ai thotë se që atëherë kanë dorëzuar kërkesë edhe nëpër ambasada për sigurimin e mjeteve për ndërtimin e shkollës.
“Kemi bërë fizibilitet, të kanalizimit, rrugës dhe ujit por edhe ajo humbi. Kryetarja e Komunës erdh në tubim këtu, tha un do ta ndërtoj, ne nuk e lamë të hyjë brenda të mbajë tubim në vendin e shkollës. E ftoi edhe kryeministrin. Kryeministri tha se, unë brenda 3 vjetëve të mandatit tim do ta bëj shkollën. As nuk ka një lëvizje të vogël të gurit për shkollën”, theksoi Amet Ali Rexha, kryetar i Këshillit Iniciativ.
Ndërtimi i kësaj shkolle do të zgjidhte hallet e 900 nxënësve të këtij vendbanimi, të cilët për momentin po mësojnë të ndarë dhe në disa shkolla. Disa prej tyre në shkollën “Përparimi” në Reçicë, e disa në “Naim Frashëri” në Tetovë.
Nga Komuna e Tetovës thonë se ata i kanë kryer të gjitha obligimet dhe kanë dorëzuar kërkesë deri tek Qeveria dhe Ministria e Arsimit. Kërkojnë që dy organet t’i japin prioritet ndërtimit të shkollës fillore në Reçicë.
“Ne jemi në pritje që ata sa më shpejtë të fillojnë me realizimin e punëve dhe atë që e tha edhe kryeministri po edhe ministri i arsimit që sa më shpejtë të përfundoj ky projekt dhe nxënësit që janë në atë pjesë të qytetit të kenë një shkollë fillore të re”, deklaroi Ahmed Qazimi, udhëheqës i Sektorit për Veprimtari Publike.
Nga Qeveria thonë se do të koordinohen me MASH-in për punën e shkollës. Kurse nga ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk deshën të përgjigjen në lidhje me këtë temë edhe pse i pritëm 4 ditë. Në shkurt të këtij viti, vet ministri Ademi pati premtuar se qëndron në dispozicion dhe në rast se nuk gjendet zgjidhje, MASH do të involvohet në mënyrë të drejtpërdrejt për ndërtimin e shkollës në Reçicë.
“Ne qëndrojmë në dispozicion si Ministri e Arsimit dhe Shkencës që në rast se nuk gjinden mjetet e nevojshme, atëherë si Ministri e Arsimit dhe Shkencës do ta marrim përsipër që të involvojmë drejtpërdrejt që Reçica e Vogël të ketë edhe shkollë fillore”, u shpreh Arbër Ademi, ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Në kohë fushatë zgjedhore në vitin 2017 ndërtimin e kësaj shkolle e ka premtuar edhe kryeministri Zaev i cili ka qenë shoqërues i kryetares aktuale, Tetuta Arifi në një tubim pikërisht në parcelën në të cilën duhet të ndërtohet shkolla. Aso kohe si kryeministri po edhe kryetarja aktuale u pritën me protesta.
Përgatiti: Mevludin Imeri
