Skuadra e trajnerit Ernest Gjoka merr fitoren e katërt me radhë në kampionat, duke mundur Renovën 3:0 në kuadër të xhiros së 26-të.
Pas një pjesë të parë pa gola, realizimet e Ibraimit, Da Silva-s dhe Elezit në fraksionin e dytë i japin Shkëndijës fitoren e 17-të sezonale, duke bërë hapin e radhës drejt sigurimit të titullit kampion kur kanë mbetur për tu luajtur edhe 7-të përballje deri në fund të sezonit.
Balanset u prishën në minutën e 51-të kur Alimi harkon saktë nga rivënia këndore, ndërsa në shtyllë të parë Besart Ibraimi reagon me shumë klas dhe me golin e 18-të personal në këtë sezon sjell epërsi 1:0 për kuqezinjtë. Çuditërisht Renova nuk gjeti forcë të kërkojë reagimin pas golit të negativës dhe Shkëndija do të sillte të dytin pasi fillimisht Velii kontrolloi një goditje të Nafiut, mirëpo më vonë ky i fundit shërbeu shumë mirë me top Da Silvan, ndërsa braziliani me qetësi realizoi për 2:0 me golin e parë në fanellën kuqezi.
Në minutën e 85-të fati ishte me kuqezinjtë, kur tentimi i Jasharovskit me kokë ndalet në traversë, ndërsa pak më vonë i njëjti lojtar goditi mbi portë. Në kohën shtesë Shkëndija solli edhe golin e tretë kur Hebaj doli i vetmuar para portës dhe në kushte kur mund të shënonte vetë, ai manifeston jo egoizëm admirues duke pasuar për Elezin, ndërsa 16-të vjeçari nuk e kishte të vështirë të gjejë golin e tij të pestë sezonal për rezultat final, Renova 0, Shkëndija 3.
