Shitjet e fuqishme të vaksinës kundër Covid -19 dhe barnave të tjera kanë ndihmuar Fajzerin që të dyfishojë të ardhurat e saj në tremujorin e dytë të vitit dhe të rrisë fitimet me një përqindje mbresëlënëse prej 59 %.
Vaksina kundër Covid-19 i solli kompanisë farmaceutike amerikane Fajzer dhe partnerit të saj gjerman Biontek 7.84 miliardë dollarë nga shitjet direkte.
Kompania me seli në Nju-Jork pret që të ardhurat nga vaksina të arrijnë deri në 33.5 miliardë dollarë këtë vit për 2.1 miliardë doza që ka rënë dakord t’i dorëzojë deri në fund të vitit.
Fitimi në tremujorin e dytë ishte 5.56 miliardë dollarë, që është për 59 për qind më shumë se 3.49 miliardë dollarët e fituara në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjithashtu i tejkalon pritjet e tregut për sa i përket të ardhurave, të cilat arritën në 18.98 miliardë, pothuajse dyfish më shumë se 9.86 miliardë në tremujorin e dytë të vitit 2020.
Në raportin e djeshëm Fajzer thekson se një dozë e tretë e vaksinës kundër koronavirusit mund të rrisë mbrojtjen kundër llojit Delta të virusit deri në 100 herë.
