Kryeministri Dimitar Kovaçevski demantoi informacionet që qarkullojnë në opinion se një pjesë e MEPSO-s do t’i shitet operatorit elektro-transmetues të sistemit grek si dhe shtoi se kjo kompani është plotësisht në pronësi të shtetit. Ai akuzoi opozitën se në fakt po shpërndan lajme të rreme.
“Bëhet fjalë për informacione jo të sakta, për lajme të rrejshme, ndërsa kishte kumtesë edhe nga MEPSO, kompania shtetërore, e cila tha se MEPSO as nuk ka biseduar e as negociuar me dikë për shitjen e një pjese të kompanisë e cila është 100% në pronësi të shtetit. Gjithashtu edhe Qeveria nuk ka asnjëfarë bisedimi në lidhje me shitjen e MEPSO-s.”- deklaroi Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.
Por, në lidhje me atë që shkruajnë mediat greke, Kovaçevski tha se atëherë edhe Maqedonia do të blejë një pjesë të portit në Selanik.
“Ata mund të kenë strategji të tyre njëjtë siç kemi ne strategji, nëse ata duan të blejnë pjesë në një prej kompanive tona atëherë ne jemi të interesuar për ta blerë portin e Selanikut.”- Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.
Pasi pjesë e mediave greke shkruan se operatori elektroenergjetik grek IPTO planifikon që ta përforcojë pozitën e tij në tregun e Ballkanit me çka do të ketë pjesë në operatorin e Maqedonisë MEPSO, me demant sot doli zv/kryeministri për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi.
“Ne deri sot e kësaj dite nuk kemi marrë zyrtarisht asnjë propozim dhe nuk kemi negociata. Ne thamë se vendim të tillë të qeverisë nuk ka dhe gjithsesi se jam i hapur dhe po them se për çdo gjë që është e mirë për qëndrueshmërinë duhet të bisedohet, por këtë sot e dëgjoj për herë të parë, informacion të tillë nuk kam.”- Fatmir Bytyqi, Zv/Kryeministër për Ekonomi.
Portali grek “Enerxhi press” shkroi se sistemi grek i transmetimit IPTO synon që në tregun e Ballkanit ta përforcojë pozitën e tij dhe tashmë një periudhë udhëheq negociata me përfaqësues të qeverisë së RMV-së.
