Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë fuqimisht dënon tentimin për vendosjen e censurës përmes propozim-ligjit e deputetëve të BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së për ndalimin e publikimit dhe posedimit të materialeve të përgjuara, duke kërkuar tërheqje të shpejtë nga procedura kuvendore. “Me këtë propozim skandaloz, në vend të pritjeve për përmirësim të lirisë së shprehjes dhe pavarësisë së mediumeve, pushteti po tenton t’a eliminojë fjalën e lirë dhe të ju imponojë gazetarëve dhe mediumeve se për çka guxojnë, e për çka nuk guxojnë t’a informojnë opinionin”, thuhet në kumtesën e SHGM.
Sipas Shoqatës së Gazetarëve, ky propozim e shkel nenin 16 të Kushtetutës i cili ndalon censurën, si dhe Konventën Evropiane për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut. “Rikujtojmë se gazetarët kanë detyrim të publikojnë informata që përmbajnë dyshime për keqpërdorime të gjithë bartësve të funksioneve publike sepse në një gjë të tillë i obligon Kodi gazetaresk, ku në mënyrë të qartë qëndron se gazetari do t’i respektojë ligjet në shtet, por nuk do të publikojë ose fshehë asgjë që është në kundërshtim me interesin publik”, thekson SHGM.
SHGM apelon te partitë politike të mos merren me çështje që mund të shkaktojnë dëm shtesë ndaj gjendjes edhe ashtu të pavolitshme në të cilën gjenden gazetarët dhe mediet.
