BDI-Dega Tetovë sot ka parashtruar kërkesë për qasje të lirë në informata me karakter publik në komunën e Tetovës, ku kërkojnë nga autoritetet lokale korrespodencën e komunikimit mes Gjykatës Kushtetuese dhe Komunës, në lidhje me emërimet e rrugëve në Tetovë.
“Kërkojmë që Komuna të publikojë të gjithë korrespondencën me Gjykatën Kushtetuese, lidhur me procedurën që përfundoi me shfuqizimin e vendimit të vitit 2007 për emrat e rrugëve dhe sheshit të Tetovës. Vetë Gjykata Kushtetuese konstaton se Komuna e Tetovës, në katër raste brenda 1 viti, nuk e dorëzoi dokumentacionin e plotë të kërkuar. Në tri raste heshti edhe Qeveria. Më skandaloz është fakti se Gjykata i referohet nenit 73 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale. Ky nen përcakton qartë se, nëse Qeveria nuk përgjigjet brenda 60 ditëve nga pranimi i kërkesës, pëlqimi konsiderohet i dhënë dhe akti i komunës pranohet siç është propozuar. Pra, sikur Komuna ta kishte dorëzuar provën se kërkesa për pëlqim i ishte dërguar Qeverisë, heshtja e Qeverisë nuk do të ishte pengesë juridike. Por Komuna nuk e dorëzoi këtë dokument as pas kërkesave të përsëritura të Gjykatës”, tha mes tjerash Bejza Abdiji nga BDI.
