Në Maqedoni u shënua Dita e mësimit në gjuhën turke.
Kryeparlamentari Talat Xhaferi për ta nderuar homologun e tij turk Mustafa Shentop dhe të pranishmit e tjerë, foli edhe në gjuhën turke.
“Të gjithë paçi jetë, shëndet dhe rroftë përjetësisht miqësia me Republikën e Turqisë! Ju faleminderit për vëmendjen!” – deklaroi Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi.
Xhaferi uroi ditën e mësimit në gjuhën turke në vend duke shtuar se Turqia është mik shumë vjeçar i Maqedonisë si në të mirë ashtu edhe në të keqe.
“Më lejoni të shfrytëzoj këtë rast dhe Juve koleg i nderuar, të gjithë të pranishmëve në sallë, mirëpo edhe të gjithë bashkëqytetarëve tanë, pjesëtarë të bashkësisë turke, t’iu uroj 21 Dhjetorin, Ditën e mësimit në gjuhën turke në Republikën e Maqedonisë së Veriut.” – deklaroi Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi.
Në ngjarje ishte i pranishëm edhe kryeministri Zoran Zaev, i cili mes urimeve dërgoi edhe përshëndetje deri tek kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan.
“I nderuari kryetar i Kuvendit të Turqisë, me lejoni që në emrin e të gjithë bashkëqytetarëve tanë t’i përcillni përshëndetje të ngrohta, të sinqerta dhe shoqërore deri tek presidenti Erdogan, deri tek Parlamenti turk dhe deri tek Qeveria turke.” – tha Kryeministri Zoran Zaev.
E kreu i Kuvendit turk Mustafa Shentop tha se në Maqedoni u ndje si në shtëpi të vet, ndërsa solli të falat të presidentit Erdogan. Shentop është me prejardhje nga Ballkani, përkatësisht prindërit e tij vijnë nga Godanci i Vitisë dhe nga Gjevgjelia.
“Thash sa gjendem në shtëpinë time dhe nuk e teproj kur e them këtë, sepse gjuha si shtëpia jonë, si element që posedon shpirtin tonë dhe mendjen tonë paraqet në fakt shtëpinë tonë. E dimë që njerëzit që flasin të njëjtën gjuhë nuk njohin distancë gjeografike ndërsa njerëzit që nuk kuptohen me të njëjtën gjuhë edhe po të qëndrojnë në të njëjtin vend nuk do të mund të kuptohen.” – u shpreh Kryetari i Kuvendit Mustafa Shentop.
Më 21 dhjetor të vitit 1944, për herë të parë në Maqedoninë e Veriut fëmijët e nacionalitetit turk kanë filluar t’i ndjekin mësimet në gjuhën e tyre amtare. Kjo datë në Maqedoni është përcaktuar si festë kombëtare për pjesëtarët e këtij komuniteti dhe është ditë jo pune.
