Shekerinska: Nxënësit nga Debreshti do të kenë sallë të re sportive

TË FUNDIT

Zëvendëskryeministrja dhe Ministre e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska së bashku me zëvendësministrat e Arsimit dhe Shkencës, Elizabeta Naumovska dhe të Vetëqeverisjes Lokale, Dejan Pavleski e inspektuan ndërtimin e sallës së sportit në shkollën “Ali Fethi Okjar” në fshatin Debreshtë, Komuna e Dollnenit.

Salla sportive shtrihet në 650 metra katrorë dhe do të jetë e pajisur me pajisje sportive dhe pajisje për sporte të vogla si basketboll, volejboll, hendboll, futboll të vogël dhe të tjera.

“Jam e bindur që kur të vijmë këtu pas shtatorit, do të jemi në gjendje ta festojmë përfundimin e plotë të këtij projekti edhe me nxënësit, mësuesit dhe qytetarët e Komunës së Dollnenit. Pas 40 vitesh bisedë, ne tani mund ta shohim me sytë tanë se salla është këtu dhe ne mund të mbështetemi tek ajo se të rinjtë tanë nuk do të kenë nevojë të udhëtojnë në Prilep për ndonjë aktivitet sportiv, por do të munden këtu të bëjnë sport, të mësojnë, të arsimohen afër shtëpive të tyre dhe afër shkollave të tyre”, tha Shekerinska, kumtuan nga MB.

Zëvendësministrja e Arsimit dhe Shkencës, Elizabeta Naumovska informoi se objekti po ndërtohet sipas standardeve më të larta për efikasitetit dhe funksionalitet energjetik.

“Investimi ka vlerë 24 milionë denarë dhe fondet janë siguruar nga buxheti i shtetit, më saktësisht nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Banka e Zhvillimit pranë Këshillit të Evropës. Për momentin, salla sportive është në një fazë të avancuar të ndërtimit, më shumë se 60 për qind, janë duke u instaluar panele dhe pritet të përfundojë deri në fillim të vitit të ardhshëm shkollor”, deklaroi Naumovska.

Sipas Zëvendësministrit të Vetëqeverisjes Lokale, Dejan Pavleski, me mbështetjen e këtij projekti, Qeveria ka treguar interes për nevojat e qytetarëve të fshatit Debresht dhe mbi të gjitha për nevojat e të rinjve. Pavleski theksoi se Qeveria edhe përmes programeve të tjera mbështet zbatimin e projekteve të rëndësishme në Komunën e Dollnenit, siç është Programi për zhvillim të balancuar rajonal përmes të cilit në tre vitet e fundit janë ndarë 5 milionë denarë për projektet e infrastrukturës lokale./MIA