SHBA, tre persona shpallen fajtorë për vrasjen e Ahmaud Arbery

TË FUNDIT

Gjykata në shtetin amerikan Georgia shpalli fajtorë tre burra të bardhë të akuzuar për vrasjen e personit me ngjyrë Ahmaud Arbery në vitin 2020, në një rast që tërhoqi vëmendjen mbarëkombëtare.

Të gjithë burrat u akuzuan për vrasje, sulm të rëndë, burgim të rremë dhe tentativë për burgosje të rreme.

Travis McMichael, njeriu që qëlloi për vdekje 25-vjeçarin me ngjyrë në qytetin port Brunswick në shkurt të vitit 2020, u shpall fajtor për të gjitha akuzat kundër tij, duke përfshirë vrasjen me qëllim, katër akuza për vrasje të rëndë, dy akuza për sulm të rëndë, burgim të rremë dhe përbuzje penale.

Babai i tij, Gregory McMichael, u shpall i pafajshëm për vrasje me qëllim, por u shpall fajtor për të gjitha akuzat e tjera. Fqinji i tyre, William “Roddie” Bryan, Jr., i cili u bashkua në ndjekje dhe pamjet e celularit të të cilit dokumentuan tragjedinë, u shpall fajtor për vrasje të rëndë, sulm të rëndë, burgim të rremë dhe përbuzje penale.

Gjykatësi i Gjykatës së Lartë të Georgia-s, Timothy Walmsley, tha se do të fillojë procesin e caktimit të dënimit brenda dy javëve të ardhshme.

Të tre burrat ende përballen me akuza federale për krime të urrejtjes në një gjyq që pritet të zhvillohet në fillim të vitit 2022.