Numri i fëmijëve të infektuar me koronavirus në SHBA u rrit për 25 për qind në dy javët e kaluara, më saktë në periudhën mes 3 dhe 17 dhjetorit, kumtoi sot Shoqata e Akademisë pediatrike amerikane (AAP).
Mbi 1,8 milionë fëmijë në SHBA janë testuar pozitivisht me koronavirus prej fillimit të pandemisë, sipas raportit të fundit.
Vetëm javën e kaluar, mbi 182.000 raste me koronavirus janë paraqitur tek fëmijët, që është rritja më e madhe e fëmijëve të infektuar për një javë, kumtoi CNN.
Komplikimet, hospitalizimi dhe epilog me vdekje nga Kovid-19 ende janë shumë të rralla tek popullata më e re.
“Megjithatë, duhet të grumbullojmë sa më shumë të dhëna për efektet afatgjata të pandemisë ndaj fëmijëve, përfshirë edhe mënyrat në të cilat virusi mund ta dëmtojë shëndetin e fëmijëve në afat të gjatë, por edhe t’u shkaktojë probleme emocionale dhe mentale”, thekson AAP në ueb faqen e vet.
Prej 17 dhjetorit, kur bëhet fjalë për persona të hospitalizuar, vlerësohet se fëmijët përbëjnë mes 1,1 dhe 2,8 për qind, varësisht nga shteti.
Mes 0,2 dhe 4 për qind e të gjithë fëmijëve me Kovid-19 rezultuan me hospitalizim në vendet që mbanin evidencë, ndërkaq më pak se 0,21 për qind e fëmijëve vdiqën nga koronavirusi.
Në 13 shtete federale në SHBA nuk ka fëmijë të vdekur nga virusi, ndërsa në tërë territorin e SHBA-së, shkalla e vdekshmërisë tek fëmijët është 0,09 për qind. Kjo i referohet popullatës më të re se 17 vjeç.
CNN shton se numrat nuk janë të plota, sepse të gjitha shtetet në SHBA nuk japin raporte në mënyrë të njejtë.
