SHBA, një person vdes pas infeksionit nga ameba që ha trurin

TË FUNDIT

Një person në Florida të SHBA-së ka gjetur vdekjen pasi dyshohet se u infektua nga një amebë e rrallë që të ha trurin, thonë zyrtarët.

Më 23 shkurt, Departamenti i Shëndetësisë në Florida tha se pacienti u infektua “përmes sinuseve të hundës pasi kishte përdorur ujin e rubinetit”. Ndërkohë që të enjten (2 mars), një zëdhënës i agjencisë Shtetërore të Shëndetësisë konfirmoi se pacienti kishte vdekur.

Sipas ekspertëve, ameba e quajtur Naegleria fowleri infekton trurin përmes hundës, por jo përmes gojës, sepse acidi i stomakut e vret mikroorganizmin njëqelizor, informon BBC

Infeksione të tilla janë pothuajse fatale bën të ditur Qëndra e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve (CDC).

Të infektuarit preken nga një sëmundje e quajtur meningoencefaliti primar amebik. Simptomat  përfshijnë dhimbje koke, ethe, nauze, të vjella, mospërqëndrim, qafë të ngurtë, humbje të ekuilibrit, kriza dhe/ose halucinacione.

Zyrtarët nuk kanë identifikuar viktimën, ndërsa këshillojnë njerëzit, se për të shmangur infeksionin, nuk duhet të shpëlajnë hundën me ujë rubineti të patrajtuar.

Ata sugjerojnë përdorimin e ujit steril ose i distiluar. Uji i rubinetit mund të përdoret gjithashtu, thonë ata nëse është zier për të paktën një minutë dhe ftohet para përdorimit. Gjithashtu ata këshillojnë shmangin e marrjes së ujit me hundë ndërsa janë në pishina ose duke bërë banjë.

Ameba zakonisht jeton në ujë të ndenjura si pishina, liqene dhe pellgje.