SHBA miraton vaksinën Pfizer për personat mbi 16 vjeç

TË FUNDIT

Administrata Amerikane për Barnat (FDA) ka miratuar vaksinën Pfizer – BioNTech kundër COVID-19 për personat mbi 16 vjeç, ditën e sotme.

Pfizer është vaksina e parë që merr miratim të plotë për përdorim në SHBA, ndërsa pritet të miratohen vaksinat Moderna dhe Johnson&Johnson.

Deri tani vaksina Pfizer kishte statusin e përdorimit emergjent, ndërsa do të vazhdojë të mbajë atë për personat nga 12 deri në 15 vjeç.

Personat që kanë imunitet të dobët mund të marrin edhe një dozë të tretë të vaksinës Pfizer, njoftoi FDA.

Vaksinat e miratuara nga FDA i nënshtrohen një procesi standard për rishikimin e cilësisë, sigurisë dhe efektivitetit të produkteve mjekësore. Vaksina Pfizer rezultoi të jetë 91% efektive në parandalimin e infeksioneve ndaj COVID-19, bazuar në rezultatet e provës klinike të bërë nga FDA, ku u analizuan të dhëna për rreth 20.000 vaksina të injektuara në individë mbi 16 vjeç.

Kompania amerikane Pfizer ka bashkëpunuar me partnerin gjerman BioNTech për prodhimin e vaksinës kundër COVID-19.

Deri më tani janë vaksinuar kundër COVID-19 rreth 50% e amerikanëve, ndërsa varianti Delta në vend po përhapet me shpejtësi të madhe.