SHBA-ja zgjeron listën e vendeve me ndalesë udhëtimi

TË FUNDIT

Shtetet e Bashkuara planifikojnë të zgjerojnë numrin e vendeve të përfshira nga ndalesa për udhëtim në më shumë se 30, deklaroi ministrja amerikane e Sigurisë së Brendshme, Kristi Noem.

“Nuk do të jap numrin e saktë, por është më shumë se 30, ndërsa presidenti vazhdon të vlerësojë vendet,” tha Noem gjatë një interviste për “Fox News”, duke iu përgjigjur pyetjes nëse administrata e presidentit Donald Tramp planifikon të rrisë numrin e vendeve të ndaluara në 32.

Noem nuk specifikoi se cilat vende do të shtoheshin në listë.

“Nëse atje nuk ka një qeveri të qëndrueshme, nëse vendi nuk mund të mbajë kontrollin dhe të na tregojë se kush janë këta persona dhe të na ndihmojë t’i verifikojmë, pse do t’i lejonim njerëzit nga ai vend të vinin në Shtetet e Bashkuara?” tha ajo.

Në qershor, Tramp nënshkroi një urdhër ekzekutiv që ndalon hyrjen në SHBA për qytetarët e 12 vendeve dhe kufizon hyrjen për shtatë të tjera, duke argumentuar se kjo ishte e nevojshme për mbrojtjen nga terroristët e huaj dhe kërcënimet e tjera të sigurisë. Ndalesat prekin jo vetëm emigrantët, por edhe turistët, studentët dhe udhëtarët afaristë.