SHBA-ja sot e konfirmoi vazhdimin e marrëveshjes pesëvjeçare për kontroll të armëve bërthamore START i Ri, që Rusia tashmë e nënshkruajti, kumtoi sekretari shtetëror amerikan Entoni Blinken.
“Presidenti amerikan Xho Bajden premtoi se do ta mbrojë popullin amerikan nga kërcënimet bërthamore me vendosje të sërishme të udhëheqjes së SHBA-së në kontrollin dhe mosshpërndarjen e armëve”, shtohet në kumtesë.
Presidenti rus Vlladimir Putin më 29 janar nënshkruajti vazhdim të asaj marrëveshje.
“SHBA-ja sot e bën hapin e parë në plotësimin e atij premtimi me vazhdim të marrëveshjes START i Ri me Federatën ruse për pesë vjet”, deklaroi Blinken.
START i Ri skadonte më 5 shkurt. Pas fillimit të funksionit më 20 janar, Bajden propozoi vazhdim të marrëveshjes për pesë vjet, që Kremlini menjëherë e përshëndeti.
Sipas marrëveshjes START i Ri të nënshkruar në vitin 2010 nga ish presidentët e SHBA-së dhe Rusisë, Barak Obama dhe Dmitrij Medvedev, të dy palëve u është lejuar të kenë maksimum 1.550 koka bërthamore dhe 700 raketa dhe bombardues të sistemuar të cilat kontrollohen me inspekcione.
START i Ri është marrëveshja e vetme e mbetur për kontroll të armatimit bërthamor ndërmjet SHBA-së dhe Rusisë, prejse së pari SHBA-ja dhe pastaj Rusia u tërhoqën nga Marrëveshja për forca bërthamore me rreze veprimi të mesme (INF) nga viti 1987.
