SHBA-ja rekomandon vaksinat mbështetëse të Covid-19 për grup moshën 12-15 vjeç

TË FUNDIT

Në panelin e Qendrës së SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) u rekomandua kryerja e dozës përforcuese e vaksinës së Pfizer/BioNTech kundër COVID-19 për fëmijët e grup moshës 12-15 vjeç të vaksinuar plotësisht.

Në panelin ku morën pjesë shkencëtarët anëtarë të bordit këshillues të CDC-së u vlerësua që vaksina përforcuese e Pfizer/BioNTech të kryhet pas 5 muajsh tek fëmijët e grup moshës 12-15, të cilët kanë kryer dy dozat e para të vaksinave kundër COVID-19.

Për zbatimin e vendimit që u mbështet nga 13 prej 14 shkencëtarëve pjesëmarrës në panel, është e nevojshme që në fazën e fundit të miratohet me nënshkrimin nga drejtoresha e CDC-së, Rochelle Walensky.

Në panelin e CDC-së u theksua se nëse rekomandimi nënshkruhet, për dozat shtesë do të jenë të përshtatshëm menjëherë rreth 5 milionë fëmijë të cilët kanë kaluar 5 muaj nga vaksinimi i dozës së dytë.

Gjithashtu në panel është ndarë informacioni se imuniteti tek grup moshat 12-15 vjeç është pakësuar ashtu sikurse tek të moshuarit dhe vaksinat përforcuese mund të rrisin deri në 80 për qind mbrojtjen kundër variantit Omicron.

Vaksina mbështetëse e Pfizer/BioNTech kundër COVID-19 u miratua të hënën nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) për përdorim emergjent tek fëmijët e grup moshës 12-15 vjeç.