“SHBA-ja do të bëj presion mbi Sofjen për Shkupin”

TË FUNDIT

Administrata e presidentit të SHBA-së Xho Bajden pritet të bëjë presion të shtuar mbi Bullgarinë për të zhbllokuar procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe urdhri ekzekutiv i Bajdenit synon të bëjë presion në përmirësimin e qeverisjes në Ballkanin Perëndimor.

Kjo është deklaruar sot për MIA-n nga Daniel Server, ekspert për Ballkanin nga Universiteti Xhon Hopkins në Uashington. Server beson se negociatat e para-pranimit në mes Shkupit dhe Brukselit për anëtarësimin e vendit tonë në BE duhet të hapen në qershor.

“Shpresoj që kjo të ndodhë, por fatkeqësisht vendet anëtare kanë të drejtën e vetos pothuajse në gjithçka në BE”, tha Server.

Ai pret që administrata amerikane të bëjë presion mbi Bullgarinë për të gjetur zgjidhje të shpejtë për “kërkesat absurde ndaj Maqedonisë së Veriut” lidhur me gjuhën dhe historinë, gjë që ai thotë se ka shkaktuar zhgënjim në shumë qendra evropiane dhe në Uashington.

“Administrata do të ushtrojë shumë presion mbi Bullgarinë. Megjithëse, nuk jam i bindur se dikush në Sofje po e dëgjon atë”, tha Server.

Lidhur me urdhrin ekzekutiv të Bajdenit mbi sanksionet kundër personave në Ballkanin Perëndimor, Server tha se kishte për qëllim ushtrimin e presionit mbi qeveritë në rajon për të frenuar korrupsionin dhe krimin dhe për të përmirësuar sundimin e ligjit.

“Urdhri ekzekutiv nuk është vetëm për Sofjen, por për të gjitha qeveritë në rajon për të pastruar oborret e tyre”, tha Server.

Lidhur me dënimin e gjykatës së Hagës me burgim të përjetshëm për ish komandantin e forcave serbe boshnjake Ratko Mlladiq për krime lufte dhe gjenocid të kryer gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, Server tha se ai mendoi se vendimi erdhi shumë vonë.

“Drejtësia vonë e arriti Mlladiqin. Bota do të jetë një vend më i mirë sepse ai nuk është larguar nga përgjegjësia”, tha Server.

TË NGJAJSHME