SHBA-ja dhe Irani kanë arritur një marrëveshje kornizë që synon finalizimin e një marrëveshjeje paqeje brenda 60 ditëve, pas përfundimit të negociatave të zhvilluara me ndërmjetësimin e Pakistanit dhe Katarit. Sipas deklaratës së përbashkët të dy vendeve ndërmjetësuese, palët janë pajtuar të vazhdojnë procesin drejt një zgjidhjeje përfundimtare, e cila përfshin garantimin e lundrimit të sigurt në Ngushticën e Hormuzit dhe përfundimin e luftimeve në Liban.
Megjithatë, shumë detaje të marrëveshjes nuk janë bërë publike. Dokumenti duket se bazohet në memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar javën e kaluar nga presidentët e SHBA-së dhe Iranit, i cili përmbante 14 pika, por linte hapësirë për interpretime në disa çështje kyçe.
Sipas deklaratës, negociatat formale në qytezën zvicerane Byrgenstok kanë përfunduar, por gjatë javës së ardhshme do të vazhdojnë diskutimet teknike. Për këtë qëllim do të formohen grupe pune që do të trajtojnë çështjet bërthamore, sanksionet, si dhe mekanizmat për monitorimin dhe zbatimin e marrëveshjes.
Nga Teherani njoftohet se disa nga asetet e ngrira iraniane janë liruar, ndërsa autoritetet iraniane pretendojnë se është hequr edhe bllokada amerikane ndaj porteve të vendit. Gjithashtu, është paralajmëruar nisja e një plani të gjerë zhvillimor për rindërtimin e Iranit.
Një nga pikat më të rëndësishme të marrëveshjes lidhet me sigurinë e transportit detar në Ngushticën e Hormuzit, një prej rrugëve më strategjike për tregtinë globale të energjisë. Autoritetet iraniane kanë konfirmuar se është rënë dakord për krijimin e një mekanizmi të posaçëm, por pa dhënë detaje shtesë.
Marrëveshja ka shkaktuar reagime të forta në SHBA. Demokratët dhe një pjesë e republikanëve kanë kritikuar veçanërisht fondin e rindërtimit për Iranin dhe mungesën e qartësisë rreth programit bërthamor iranian. Në të njëjtën kohë, udhëheqës izraelitë kanë deklaruar se Izraeli nuk është pjesë e marrëveshjes dhe kanë paralajmëruar vazhdimin e operacioneve kundër objektivave të Hezbollahut në Liban.
Sipas raportimeve, presion mbi ekipin negociator iranian kanë ushtruar edhe fraksione të vijës së ashpër brenda vendit, përfshirë Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike, duke e bërë procesin e negociatave edhe më kompleks.
