Shtetet e Bashkuara dënojnë ashpër deklaratat e një zyrtari taliban, i cili ka thënë se, grupi militant do të rikthejë dënimet me ekzekutim dhe amputim të gjymtyrëve.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Ned Price tha të premten (24 shtator) se, veprimet e tilla do të përbënin shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.
Më herët, Uashingtoni ka thënë se çdo njohje e mundshme e legjitimitetit të qeverisë së re të udhëhequr nga talibanët në Afganistan do të varet nga respektimi i të drejtave të njeriut.
“Ne po vëzhgojmë nga afër”, tha Price.
Një nga themeluesit e talibanëve dhe zbatuesi kryesor i interpretimit të ashpër të ligjit islamik, kur kanë sunduar ata për herë të fundit në Afganistan, ka thënë se lëvizja e linjës së ashpër do të kryejë ekzekutime dhe amputime të duarve, ndonëse jo në publik.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve, Associated Press, Mullahu Nooruddin Turabi, ka paralajmëruar botën kundër ndërhyrjes te udhëheqësit e rinj të Afganistanit.
