SHBA do t’i shes Egjiptit armë në vlerë të mbi 2.5 miliardë dollarëve

TË FUNDIT

Departamenti i Shtetit të SHBA-së miratoi shitjen e armëve ne vlerë 2.55 miliardë dollarë për Egjiptin, përfshirë 2.2 miliardë dollarë për avionë transportues të tipit C-130J dhe 355 milionë dollarë për radarë të mbrojtjes ajrore.

Në një deklaratë nga Agjencia e Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes së SHBA-së thuhet: “Departamenti amerikan i Shtetit mori vendim për miratimin e shitjes ndaj Egjiptit për avionë transportues të tipit C-130J Super Herkul dhe pajisjeve përkatëse me vlerë prej 2.2 miliardë dollarë”.

Kongresit i është dërguar një njoftim lidhur me miratimin e shitjes ndërsa theksohet se në paketën e shitjes përfshihen 12 avionë C-130J, 12 motorë rezervë dhe pajisjet e tjera mbështetëse.

Në një deklaratë tjetër nga agjencia thuhet se për Egjiptin është miratuar shitja e sistemeve të radarit të mbrojtjes ajrore në vlerën prej 355 milionë dollarë.

Në këtë paketë të shitjes përfshihen 3 sisteme radari SPS-48 të vendosur në tokë, pjesë rezervë lidhur me këto sisteme, motorë, gjeneratorë dhe pajisje të tjera.

Miratimi i shitjes së armëve nga Departamenti i Shtetit nënkupton për administratën amerikane vetëm se nuk ka ndonjë kundërshtim në aspektin e shitjes.

Nëse Kongresi i SHBA-së nuk kundërshton Departamentin brenda 30 ditëve, atëherë qeveria fillon bisedimet me vendin e miratuar për shitje lidhur me përmbajtjen e paketës së shitjes.

Në fund të këtyre bisedimeve SHBA-ja, vendit në fjalë i paraqet një letër ofertë. Procesi i furnizimit realizohet nëse ndaj kësaj oferte jepet një përgjigje pozitive./AA/