“Shansi i dytë”/ Arsimim falas për grupet e rrezikuara. Kompanitë në kërkim të punëtorëve, deficit ka në çdo sektor

TË FUNDIT

Me qëllim aktivizimin e grupeve të rrezikuara dhe personave të papunë në tregun e punës, me mbështetje të Bashkimit Evropian para pak muajsh u prezantua projekti “Shansi i dytë”. Qëllimi ishte që ato qytetarë të cilët nuk kanë mundur të përfundojnë arsimin e mesëm dhe e kanë të vështirë të punësohen, këtë ta fitojnë falas. Gjithashtu ishin paraparë edhe trajnime falas në lëmi të ndryshme ku qytetarët e shohin veten që mund të përshtaten më mirë.


Drejtori i Agjencisë për Punësim Bekim Murati, thotë se të gjitha harxhimet për aplikantët janë të mbuluara ndërsa diploma do të pranohet në të gjitha institucionet.


“Deri tani kanë aplikuar 151 persona. Mbi 80 kanë nënshkruar kontrata për vazhdimin e arsimimit. Numri i personave të cilët do të parashihen në këtë masë, janë paraparë 200 vende të lira. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se Agjencioni për Punësim do t’i mbulon të gjitha harxhimet deri në marjen e diplomës. Të gjithë ato persona të papunë të cilët do të pajisen me këtë diplomë, diploma do të jetë e vlefshme për të gjitha institucionet shtetërore dhe do të llogaritet përfundim i një cikli katër vjeçar respektivisht përfundim i shkollës së mesme”, tha Bekim Murati – Drejtor i Agjencisë për Punësim.


Natasha Janevska nga Oda Ekonomike, njoftoi që në bashkëpunim me kompanitë, mundësojnë trajnimin e kuadrove dhe shpesh ndodhë që ato qytetarë të ngelin në atë vend pune.

“Ne më tej vazhdojmë me ato aktivitete tani përmes këshillit, në strukturën e re organizative në odë, këshilli për zhvillim të trajnimeve, ku kryejmë trajnime për rikualifikim dhe kualifikim të mëtejshëm. Më duhet të theksoj se këto i bëjmë me kërkesë të kompanive. Kompanitë drejtohen tek ne. Ata kërkojnë në afat sa më të shkurtër t’u dalim në ndihmë, së bashku me kompaninë përgatitim program, aplikojmë përmes projektit, i shfrytëzojmë ato mjete dhe i realizojmë trajnimet”, theksoi Natasha Janevska – Menaxhere projektuese në OEM.


Sa i përket deficitit të kuadrove profesional, mungesë më së shumti ka për profesorë, kasapë, si dhe teknikë të ndërtimtarisë dhe elektroteknikë.


“Si kuadro deficitar të cilët janë të evidentuar në sistemin tonë janë inzhinierët, profesorë të informatikës. Ne shumë shpejtë do të kemi deficit të kuadrove sa i përket profesorëve të lëndëve natyrore siç janë profesorë apo arsimtarë të fizikës, kimisë, biologjisë e kështu me radhë”, shtoi Murati.

“Lidhur me çfarë kualifikime u nevojiten mund të them se çdo lloj kualifikimi me nivel të ndryshëm të arsimit dhe në të gjitha sektoret. Por më të kërkuarat për momentin të cilat i kërkojnë kompanitë ato janë kasapë, teknikë të ndërtimtarisë, makinerik, elektrik, elektromontues por madje edhe kuzhinierë, kamarierë, pra mungesa e kuadrit është në çdo sektor”, sqaroi Janevska.


Qëllimi kryesor është të ulet papunësia duke përfshirë programe të specializuara dhe shërbime për zhvillim të aftësive të grupeve të rrezikuara. Nëse kushdo prej qytetarëve refuzon të punësohet, ai do të përjashtohet nga sistemi i Agjencisë për Punësim në 12 muajt e ardhshëm.