“Ky është stadiumi “Renzo Barbera” ku sonte në ora 20:45 përfaqësuesja e Maqedonisë në futboll do të përballet me Italinë në ndeshjen e balotazhit për kualifikim në Kamipionatin Botëror Qatar 2022. Pritet të jetë një atmosferë e zjarrtë këtu në stadium për shkak se të gjitha biletat janë shitur, ndërsa ky stadium ka kapacitet prej mbi 30 mijë ulëse”, raporton Artan Nuhiu, gazetar TV21.
Ndeshja në Palermo është historike pasi Maqedonina asnjëherë nuk ka qenë më afër kualifikimit në një botëror. Edhe pse Italia është e vështirë për ta kaluar, megjithatë trajneri Milevski thotë se do të zbresin në fushë për të fituar.
“Nuk kam dilema. Formacioni dihet, besoj se të gjithë do të jenë në dispozicion pas stërvitjes. A jemi të gatshëm për fitore!? Sërish do ta përsëris Maqedonia jorastësisht luan këtu, jorastësisht është në play off për kualifikim në Kampionatin Botëror. Maqedonia tregoi cilësi në kualifikime dhe mendoj që neve na mbetet ta shijojmë dhe të japim maksimumin në këtë ndeshje”, tha Bllagoja Milevski, trajner.
E futbollisti Stefan Ristovski thotë se kjo ndeshje është ëndërr për secilin lojtar.
“Futboll është, do të shohim. Shpresoj se para së gjithash do të hyjmë në ndeshje me kokë të ftohtë, nuk kemi çfarë të humbim. Mendoj se secili lojtar që nga fëmijëria ëndërron për ndeshje të këtilla me stadiume të mbushura , para së gjithash të luash për shtetin tënd, për një garë kaq të madhe”, tha Stefan Ristovski, futbollist.
E trajneri Italian Roberto Mançini e mban mend ndeshjen kur Maqedonia mposhti Gjermaninë, andaj thotë se duhet pasur kujdes.
“Luajmë përballë ekipit që mposhti Gjermaninë. Sigurisht se na duhet durim, sepse kundërshtari është cilësor dhe mirë i organizuar. Italia di të luan futboll dhe momentalisht mendojmë në të. Secila ndeshje fillon nga 0-0 dhe për 90 minuta mund gjithçka të ndodh”, deklaroi Roberto Mancini, trajner i Italisë.
Fituesi i kësaj ndeshje do të përballet me fituesin e ndeshjes tjetër Portugali-Turqi. Ajo përballje do të jetë vendimtare për të marrë biletën për në botërorin Qatar 2022 që do të zhvillohet në nëntor të këtij viti.
