Duke folur për hyrjen e mundshme të Alternativës në Qeveri, analisti Arben Ratkoceri, mbrëmë në Click Plus rikujtoi se si gjatë qeverisjes Zaev u mbyllën çështje të mëdha për shtetin, u relaksuan marrëdhëniet ndëretnike, ndërsa edhe ish-zyrtarë të qeverisë Gruevski shkuan në burg, kurse tash Zoran Zaev po lutet tek Gashi për numra të shumicës.
“Dhe në një kohë vjen në një pozitë komike ku kushtëzohet ose duhet të lutet Afrim Gashi ose Arjanit Hoxha që të bëjnë Qeverinë”, pohoi Arben Ratkoceri, gazetar.
TV21- Po s’ka asgjë të keqe, numrat e bëjnë… -demokracia është numra tek e fundit…
“Po pra… Prandaj edhe këtë epitetin tim, është kryeministër a-tipik…”, tha Ratkoceri.
Shansi për Alternativën është i mirë politikisht, por jo edhe moralisht, shprehet ai.
“Politikisht do të ishte naive, nuk po flas moralisht, që të mos e shfrytëzonte, mirëpo shumë e ulët moralisht”, tha Ratkoceri.
E opinionisti Valon Bela e quajti qesharake situatën aktuale, ku Qeveria po përpiqet të marrë brenda saj Alternativën, e cila javë me parë ishte e gatshme ta rrëzojë qeverinë.
“BDI dhe PDSH e quajtën madje edhe koalicion fashist atë fotografinë atje, e tash një prej fashistëve u bashkëngjitet aty, është qesharake tash se si do ta arsyetojnë. E dyta, që është shumë e dhimbshme është se tash Alternativës më nuk do t’i besojë askush”, pohoi Valon Bela, analist.
Duke folur për jetëgjatësinë e kësaj Qeveria, analisti Ratkoceri u shpreh se ajo do te zgjasë aq sa do të dojë VMRO-DMNE-ja dhe BDI-ja.
