Shahpaska: Kapaciteti i kopshteve nuk është plotësuar

TË FUNDIT

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Jagoda Shahpaska sot bëri të ditur se lidhur me kapacitetin për akomodimin e fëmijëve në kopshte është bërë analizë e posaçme para hapjes së tyre në pajtim me protokollin për mbrojtje dhe reduktimin e rrezikut të infektimit në minimum. Mbi bazë të këtij protokolli, siç informon, në kopshte kanë qenë të lira 19.000 vende, ndërsa interes për akomodim të fëmijëve kanë shprehur 14.555 prindër.

“Analizën që e bëjmë në nivel ditor flet për faktin se ka fëmijë të regjistruar në kopsht, por prindërit nuk i dërgojnë. Në mënyrë shtesë, duke e ndjekur gjendjen në nivel ditor kemi njohuri se ka ende vende të lira në kopshte për akomodimin e fëmijëve. Nga ana tjetër nëse paraqitet mungesë e vendeve, i referohemi konkluzionit të Qeverisë i cili u rekomandon komunave si themeluese të kopshteve, gjegjësisht institucioneve për përkujdesje parashkollore të fëmijëve, në pajtim me rregulloren për normat dhe masat për akomodim të sigurt të fëmijëve të sigurojnë nëse ka nevojë zgjidhje alternative shtesë për akomodim”, tha Shahpaska në konferencë për shtyp.

Lidhur me zgjidhjet alternative, ajo tha se komunat kanë mundësi t’i akomodojnë fëmijët në klasa, shtëpi të kulturës ose në vende të tjera. Shtoi se deri në fund të vitit do të rritet numri i kopshteve në vend, me çfarë do të rritet edhe përfshirja e fëmijëve.

Për numrin e edukatoreve të sëmura të kopshteve, Shapaska tha se MPPS në nivel ditor e ndjek gjendjen shëndetësore të të gjithë të punësuarve dhe të fëmijëve, të cilët janë të përkujdesur. Shtoi se për momentin prej 311 objekteve, raste ka vetëm në disa.

Ajo u bën thirrje qytetarëve t’i respektojnë rekomandimet për distancë të sigurt, mbajtjen e maskës, larjen shpesh të duarve dhe dezinfektim të duarve. Nëse gjendja epidemiologjike eskalon, aio tha se duke e ndjekur me vigjilencë gjendjen dhe respektuar rekomandimet e Komisionit për Sëmundje Ngjitëse do të ndërmarrin masa të cilat do ta garantojnë shëndetin e fëmijëve dhe të punësuarve.