Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, gjatë gjithë kohës monitoron gjendjen shëndetësore të fëmijëve dhe punonjësve në kopshtet për fëmijë. Po bëhen analiza nëse ka devijime dhe sipas rekomandimeve vendoset se cilat kopshte apo grupe duhet të mbyllen dhe cilët persona duhet të largohen nga procesi i punës, tha ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska, në përgjigje të pyetjes së gazetarëve në lidhje me gjendjen aktuale me pandeminë dhe funksionimin e kopshteve për fëmijë.
Ministrja Shahpaska sqaroi se tani gjendja është nën kontroll dhe se protokollet respektohen, gjë që, siç tha ajo, ofron siguri dhe siguron mjedis të sigurt për fëmijët.
“Nga dita e hapjes së 311 objekteve, ne jemi në proces të monitorimit të gjendjes së punonjësve. Kishim kopshte që nuk filluan të punojnë për shkak të një punonjësi pozitiv, në kopshtin në Sveti Nikollë. Ashtu siç shfaqen rastet pozitive, sipas udhëzimeve të epidemiologëve, ata punonjës largohen nga puna. Kryesisht bëhet fjalë për stafin e punësuar në kopshte. Kemi pasur edhe raste kur disa fëmijë që për shkak të kontakteve ose nga shtëpia, ishin pozitivë. Ne monitorojmë nga afër shëndetin e tyre dhe të të gjithë stafit që kanë qenë në kontakt në ndonjë mënyre. Deri tani, vetëm një arsimtar është shtruar në spital, duke marrë parasysh se ai kishte sëmundje tjera kronike”, tha Shahpaska
Ajo bëri thirrje për respektimin e masave, duke mbajtur distancë prej një metër e gjysmë deri dy, larje të shpeshtë dhe dezinfektim të duarve dhe hapësirave.
Lidhur me kërkesat për zgjatjen e pushimit të lehonisë, ajo theksoi se janë bërë analiza në Qeveri dhe në bazë të tyre është arritur në përfundimin se nënat me pushim të zgjatur të lehonisë duhet të kthehen në vendet e tyre të punës.
“Me hapjen e kopshteve, përfundon nevoja për të ndenjur në shtëpi. Kur është dikush që të kujdeset për fëmijët, dhe ne themi që të gjitha parakushtet për kujdes të sigurt janë krijuar sipas protokolleve, fëmijët duhet të shkojnë në kopsht, sepse ka hapësirë. Analiza jonë në baza ditore tregon se ka hapësirë dhe shtretër fëmijësh, nga zero deri në dy vjet, ku sipas protokollit tani ka 12 vende për të akomoduar fëmijë në të njëjtin grup. Konsideroj se prindërit që kanë përdorur pushimin e zgjatur të lehonisë deri tani, si dhe të gjithë qytetarët e tjerë që janë të punësuar, duhet të kthehen në vendet e tyre të punës”, tha Shahpaska. bs/bsh/
