Rreth pesëdhjetë qytetarë protestuan para Kuvendit në qendër të Shkupit, duke shprehur pakënaqësi ndaj Drejtorisë për të Ardhura Publike lidhur me tatimin e të ardhurave të realizuara jashtë vendit, transmeton TV21.
Protestuesit mbanin një pankartë me mesazhin “Kërkojmë përgjigje nga DAP”, duke kërkuar sqarim dhe zgjidhje për, siç thonë, kërkesat kontestuese nga institucioni.
Protesta shkaktoi edhe bllokim të trafikut në zonën qendrore të qytetit, ku e bllokuar ishte rruga Rekord.
Kjo nuk është protesta e parë lidhur me tatimin e të ardhurave nga jashtë vendit, çështje që prej një kohe po shkakton reagime te një pjesë e qytetarëve.
“DAP dëshiron t’i tatimojë studentët e këtij shteti të cilët gjatë verës punojnë në Gjermani dhe SHBA sepse vendimet që ua dorëzojnë studentëve janë 10% nga fitimi i tyre, tatimi i dyfishtë nuk është frytdhënës, nuk është ekonomikisht i shëndetshëm dhe nëse kësaj qeverie i duhen para le të shkurtojnë nga harxhimet joproduktive”, u shpreh një protestues.
