Sërish mbetjet e kurbaneve hidhen nëpër rrugë, era e rëndë shqetëson banorët

TË FUNDIT

Këto janë mbetjet nga kafshët e therura për festën e Kurban Bajramit.
Kjo deponi është rrugës për tek spitali Psikiatrik “Bardovci”.
Deponia në këtë vend ka kohë që është këtu, por era e rëndë e mbetjeve të kurbaneve ka shqetësuar banorët e kësaj lagje.
TV21 kontaktoi me Higjienën Komunale. Nga atje thonë se janë të habitur që qytetarët përsëri kanë hedhur mbetjet në këtë mënyrë, kur ka pasur 17 kontejner të posaçëm për hedhjen e mbetjeve të kurbaneve.

“Jemi habitur me këtë informacion që e morëm nga ju se në disa pjesë dhe në disa vende të qytetit të Shkupit mbetjet e kurbanëve përsëri është hedhur jashtë vendeve adekuate që i kemi përgatitur, dhe janë hedhur në vende publike dhe me këtë rrezikohet shëndeti publik”, tha Ana Maria Brongjolica – zëdhënëse e “Higjienës Komunale”.

Kjo pjesë bie në Komunën e Karposhit. Nga atje thanë për TV21 se disa herë e kanë pastruar atë pjesë, por përsëri po hedhen mbeturina. Njoftojnë se vendi është pronë private dhe do të kërkojnë nga pronari që të rrethohet vendi me qëllim mos të hedhen mbeturinat.

“Në disa raste komuna e Karposhit e pastroi deponinë në fjalë, e cila është në pronë private te ish ”Agromehanika”. Gjithashtu, dërguam njoftim deri te pronari i tokës që kjo hapësirë të rrethohet me qëllim që të mos krijohen deponi të reja. Vetëqeverisja lokale sërish do të kontaktojë me pronarët e kësaj prone me qëllim që të pastrohen mbeturinat dhe të mbrohet mjedisi”, thanë nga Komuna e Karposhit.

Nga Higjiena komunale thanë se gjatë ditës së sotme do të pastrohen mbetjet e kurbaneve, ndërsa gjatë ditës së shtunë do të organizojnë edhe pastrim të gjithë deponisë.