Si kundërpërgjigje për refuzimin e notës së protestës që Ministria e Jashtme serbe i bëri ambasadorit shqiptar, lidhur me incidentin e gjuatjes me gurë të autobusit të kombëtares serbe, shteti serb nuk do të njohë për 6 muaj Ambasadorin shqiptar në Beograd, lir Boçka.
Këtë e ka pohuar vetë kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, sipas të cilit Ambasadori është sjellë në mënyrë jodiplomatike.
“Asnjë nga zyrtarët e lartë gjashtë muajt e ardhshëm nuk do të jetë në gjendje të takohet me Ambasadorin e Shqipërisë.
Ambasadori ka vepruar në mënyrë jodiplomatike, se Ambasadorët nuk kanë të drejtë për një reagim të tillë. Për këtë rast Serbia e ka shpallur person non grata apo e thënë ndryshe, për gjashtë muaj ai nuk do të jetë në kontakt me përfaqësuesit e Serbisë. Vendimi im nuk është që të prishim marrëdhëniet. Por një sjellje e tillë nuk mund të tolerohet”, tha Vuçiç për mediat serbe.
Pas këtij vendimi ka reaguar Tirana zyrtare. Ministria jonë e punëve të Jashtme, duke deklaruar se janë të zhgënjyer nga qëndrimi i autoriteteve serbe.
“Jemi të zhgënjyer nga veprimet e autoriteteve serbe, që paragjykojnë vullnetin e mirë e të plotë të Autoriteteve shqiptare për mbarëvatjen e ndeshjes së futbollit dhe ndarjen e sportit nga politika,- thuhet në reagim –
Reagime të tilla, si dhe leximi arbitrar i imuniteteve dhe privilegjeve të diplomateve, shkojnë përtej rregullave të gjithë-pranuara të së drejtës ndërkombëtare dhe na kujtojnë praktika të tejkaluara.
Kjo është dita e sportit dhe e lojës së ndershme. Kjo është dita që çeli me takimin historik të studentëve serbë e shqiptarë në Tiranë, që tregon se gjenerata e re e dy vendeve tona sheh përpara drejt vlerave europiane dhe i ka lënë pas makthet e së shkuarës”,- thuhet në deklaratën e MPJ.
