Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është duke prezantuar përfundimet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, që u mblodh sot lidhur me luftën në Ukrainë.
Ai tha se Serbia tash për tash, nuk do t’i vendosë sanksione Rusisë, sepse është duke “u udhëhequr me interesat tona vitale ekonomike dhe politike”.
Vuçiq në një konferencë për media ka lexuar përfundimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, lidhur me sulmin që Rusia po i bën Ukrainës, duke thënë se e Serbia njeh integritetet territoriale të shteteve të tjera.
Vuçiq ka thënë se Serbisë i vjen keq për gjithçka që ndodh në Evropën Lindore dhe se i shohin rusët dhe ukrainasit si popull vëllazëror.
“Republika e Serbisë i vjen keq për gjithçka që po ndodh në Evropën Lindore. Ne kultivojmë marrëdhënie miqësore me Ukrainën dhe Rusinë dhe vajtojmë çdo jetë të humbur; 2) Ne respektojmë paprekshmërinë e kufijve; 3) Kufijtë mund të ndryshohen vetëm në përputhje me të drejtën ndërkombëtare; 4) Qëndrimi i Serbisë ka mbetur konsistent dhe nuk mund t’i drejtohet asnjë kundërshtim për këtë çështje”, ka shtuar Vuçiqi.
