Qeveria e Serbisë ka miratuar në një seancë të jashtëzakonshme vendimin për ndalimin e përkohshëm të eksportit të naftës dhe të të gjitha derivateve të saj që përdoren për furnizimin e motorëve, me qëllim stabilizimin e tregut vendas të energjisë.
Sipas vendimit, ndalimi përfshin eksportin e naftës, benzinës dhe naftës bruto përmes të gjitha rrugëve të transportit dhe do të jetë në fuqi deri më 19 mars. Pas kësaj date, autoritetet do të shqyrtojnë mundësinë e zgjatjes ose ndryshimit të masave.
Ministrja e Minierave dhe Energjisë, Dubravka Gjedoviq Handanoviq, tha se masa synon të parandalojë mungesat e mundshme dhe rritjen e papritur të çmimeve të karburantit në Serbi, në një kohë kur tregu global i energjisë po përballet me paqëndrueshmëri për shkak të përshkallëzimit të krizës në Lindjen e Mesme.
Ajo theksoi se çmimet e derivateve të naftës në Serbi aktualisht janë më të ulëta se në bursat ndërkombëtare, ndaj shteti po përpiqet të mbrojë qytetarët dhe ekonominë nga presionet e tregut.
Qeveria serbe njoftoi se do të monitorojë me kujdes zhvillimet në tregun global të energjisë dhe do të veprojë në përputhje me situatën.
Përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme dhe tensionet që prekin lundrimin në Ngushticën e Hormuzit po rrisin shqetësimet për stabilitetin e tregut global të energjisë.
