Senatori demokrat në SHBA, Bernie Sanders, i cili ka paraqitur në Senat projektligjin që i bën thirrje Izraelit për armëpushim emergjent në Palestinë, gjatë fjalimit i parashtroi pyetje Senatit: “Humbja e jetës së 12 izraelitëve të pafajshëm është me të vërtetë tragjedi. Por, a nuk është tragjedi humbja e jetës së 227 palestinezëve, përfshirë 64 fëmijë dhe 38 gra?”.
Sanders një prej emrave kryesorë të demokratëve në Senat, iu drejtua administratës Joe Biden dhe Republikanëve ndërsa paraqiti në Asamblenë e Përgjithshme të Senatit projektligjin e tij i cili u bën thirrje Izraelit dhe Palestinës për armëpushim emergjent në Gaza.
Duke tërhequr vëmendjen mbi sulmet izraelite që vazhdojnë në Gaza, Sanders tha se mendon që edhe Hamasi edhe ushtria e Izraelit rrezikojnë jetën e civilëve.
Sanders tha se kundërshton fuqishëm projektligjin e disa senatorëve republikanë që bën thirrje për “mbështetje të plotë ndaj Izraelit”.
“Më tërhoqi vëmendjen një fjali në faqen e dytë të projektligjit. Senati mban zi për ata që kanë humbur jetën për shkak të raketave të Hamasit. Kategorikisht i bashkohem kësaj. Humbja e jetës së 12 izraelitëve të pafajshëm është me të vërtetë tragjedi. Por, a nuk është tragjedi humbja e jetës së 227 palestinezëve, përfshirë 64 fëmijë dhe 38 gra?”, pyeti ai.
Më tej duke iu drejtuar senatorit Rick Scott i cili ka përgatitur projektligjin e Republikanëve, Sanders tha se “Senatori Scott nuk beson se humbja e jetës së 227 palestinezëve është një tragjedi. Ndërsa unë besoj se ne duhet të mbajmë zi edhe për humbjen e jetëve të izraelitëve dhe për jetët e humbura të palestinezëve”.
Sulmet izraelite përkeqësojnë edhe më tej situatën në Gaza
Duke shpjeguar se situata në Gaza ka qenë e keqe edhe para sulmeve të fundit, Sanders vuri në dukje se me sulmet izraelite situata në Gaza është përkeqësuar edhe më tej dhe se armëpushimi është i pashmangshëm.
“Nga sulmet izraelite në Gaza janë dëmtuar të paktën 17 spitale ose klinika ndërsa është goditur edhe klinika e vetme ku kryheshin testet për COVID-19”, theksoi Sanders i cili shtoi se që të gjitha këto janë tragjedi dhe se këto duhet të përfundojnë.
“SHBA-ja duhet të bëjë thirrje për armëpushim të menjëhershëm. Besoj se SHBA-ja ka një rol thelbësor në ndërtimin e një të ardhmeje më paqësore dhe më të begattë të botës”, tha Sanders.
Në fjalën e tij i drejtohet Netanyahut
Senatori Sanders, në fjalën e tij i është drejtuar kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu duke thënë: “Kongresi duhet të kuptojë se qeveria e djathtë e Netantyahut për një kohë prej më shumë se 10 vitesh ka rritur formën e një nacionalizmi racist intolerant dhe autoritar në përpjekjen e saj në rritje për të qëndruar në pushtet dhe për t’iu shmangur gjykimit për korrupsion”.
Më tej pasi ka mbrojtur idenë e tij se Netanyahu ka legjitimuar edhe ekstremistët, Sanders tha se SHBA-ja duhet të kuptojë atë çfarë ndodh në politikën e Izraelit.
Në fund të fjalës së tij Sanders tha se pret mbështetje nga të gjithë senatorët për projektligjin i cili bën thirrje për armëpushim emergjent./AA
