Selmani: Koalicioni qeveritar pritet të fitojë deri në 85% të komunave! Aliu: Nuk ka bazë për zgjedhje të parakohshme pas rezultateve lokale

TË FUNDIT

Për analistin Imer Selmani, rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve lokale në kampin shqiptar nuk ishin edhe aq të pritshme, pasi sipas tij pritej një barazim mes komunave. Selmani pret që në raundin e dytë koalicioni qeveritar të marrë 85% të komunave. Sipas tij, dallimi mes AKI-së dhe VLEN-it do të jetë më i ngushtë vetëm në numrin e këshilltarëve.

“Diku mbi 80%, ndoshta 85% të komunave do të jetë fitues koalicioni qeveritar, do të thotë VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM. Ndoshta në kampin politik shqiptar, numri i komunave – jo në nivel këshilltarësh, pasi në nivel të këshilltarëve numri do të jetë më i balancuar – por fitorja në nivel komune, kur edhe me 1 votë plus fitohet, dukshëm është në favor të VLEN-it. Ndoshta edhe vetë VLEN-i, kur do t’i marrë këto rezultate në fund, do të jetë i befasuar”, tha Imer Selmani – analist.

Duke folur për bashkëpunimin me ndonjë parti tjetër politike në raundin e dytë të zgjedhjeve, e në veçanti në Kërçovë, se cilin kandidat do të përkrahin, Arben Fetai nga VLEN tha se kandidati i tyre për këtë komunë, Fatmir Limani, është prononcuar për këtë, megjithatë pritet që të vendosot në kryesinë e VLEN-it.

“Sa i përket Kërçovës, aty ka folur Fatmir Limani. Fatmir Limani është prononcuar dy herë dhe për momentin ky është qëndrimi i vetëm… Gazetarja: Që do të thotë se nuk do ta përkrahni Fatmir Deharin?

“…dhe duhet të ulemi në kuadër të shtabit, në kuadër të kryesisë së VLEN-it dhe të nxjerrim qëndrim për rrethin e dytë.”, u shprej Arben Fetai, VLEN.

Sa i përket kërkesës për zgjedhje të parakohshme, analisti Murat Aliu, bazuar në rezultatin zgjedhor, tha se nuk ka bazë që koalicioni opozitar të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi – siç u shpreh – referendumi që u kërkua nuk u shpërfaq askund.

“Unë mendoj se duhet të krahasohet pretendimi se do ta fitojnë VLEN-in me 2 me 1. Dhe së dyti – kjo nuk është më çështje numrash, është çështje fryme dhe inercioni që krijohet. Për momentin, nëse VLEN i merr ato 9 komuna dhe AKI mbetet me 5 apo 6, kryesisht komuna periferike, nuk mendoj se u konvenon atyre për momentin politikisht të kërkojnë zgjedhje të parakohshme, pasi që referendumi që u kërkua nuk u shpërfaq askund”, pohoi Murat Aliu – analist.

Sa i përket mosarritjes së censusit në Gostivar dhe Vrapçisht, sipas Fetait nga VLEN, ky është dështim i dy partive – ASH-së dhe BDI-së – pasi, siç shton, nuk arritën ta bindin votuesin e tyre që t’i votojnë edhe për një mandat.