Sela uron 7 Marsin, përmend problemin me tekstet mësimore në Maqedoni

TË FUNDIT

Lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela ka uruar Ditën e Mësuesit – 7 Marsin.

“Të dashur nxënës e mësues të shkollës shqipe kudo që jeni, sot po e festojmë ditën mbarëkombëtare të arsimit në gjuhën shqipe, ditë kjo që në botën shqiptare edhe zyrtarisht njihet si Dita e Mësuesit. Ju uroj nga zemra për këtë ditë shenjtë të dijes, edukimit dhe qytetërimit”, shkruan Sela në urimin e tij.

Duke treguar rëndësinë e kësaj dite për popullin shqiptarë, Sela ka numëruar edhe problemet e arsimit shqip në vend.

Ka vlerësuar, se në Maqedoninë e Veriut shumë nxënës ëndërrojnë për arsimim në gjuhën shqipe, duke shtuar se pengesë për zhvillimin e mirëfilltë të shkollës shqipe mbeten programet shkollor dhe tekstet mësimore.

“Nuk ishte e lehtë rruga e kësaj shkolle gjatë historisë për të arritur deri këtu, por brengos fakti se ky përparim i zhvillimit të arsimit shqip në Maqedoninë e Veriut po ngec edhe sot e kësaj dite, madje në disa rajone të këtij shteti shumë nxënës ende ëndërrojnë për shkollim në gjuhën amtare, ndërsa problemi me programet shkollore dhe tekstet mësimore për nxënësit shqiptarë janë pengesa kryesore për zhvillimin e mirëfilltë të kësaj shkolle, që me sukses i përballoi sfidat e historisë. Uroj që sa më shpejt të tejkalohen këto pengesa për t’i hapur rrugë zhvillimit normal të mësimit e edukimit të fëmijëve shqiptarë! Gëzuar dhe urime për këtë ditë të bardhë, siç thoshte Naimi!”, tha më tej Sela, transmeton TV21.

Përndryshe, sot bëhen 134 vjet nga hapja e shkollës së parë shqipe në Korçë. Kjo datë, 7 marsi tanimë në popullin shqiptar njihet si Dita e Mësuesit, kjo për të shprehur kontributin ndaj tyre, në ngritjen e arsimit dhe edukimit shqiptar./TV21