“Në qoftë se ju dëshironi të bëni qeveri maqedonësh, besa shqiptarët do të bëjnë qeveri shqiptarësh, mos keni asnjë dilemë”. Kështu iu kundërpërgjigj kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, idesë së kreut të LSDM-së Zoran Zaev, i cili ditë më parë në një duel televiziv me Mickoskin u tregua i gatshëm të shkëmbejë deputetë me rivalin e tij politik, që të mos mund të kushtëzohen nga BDI-ja për ta arritur kryeministrin shqiptar.
Sela, në tubimin parazgjedhor në Strugë, po ashtu foli për programin e koaliconit “Tash është koha”, ku tha se “barazia është një nga kushtet që nuk do të lejojë që shqiptarët të trajtohen si pakicë kombëtare” në Maqedoni.
Kreu i ASH-së përcolli porosi për opoentët politik, siç tha, për ata që kanë hyrë në një rrugë që nuk i nxjerr në hajër. Duke folur për idenë e BDI-së për Kryeminisrët, Sela u shpreh se shqiptarët 18 vite ua kanë dhënë besën me votë për kryeministrër, e tash këtë gjë nuk do ta bëjnë më.
“Programi ynë ka në fokus interesin e çdo familjeje shqiptare e jo vetëm të një individ, një emri të përveçëm. Kur shqiptari ta jep besën, për kryeministër të shqiptarëve të kanë zgjedhur 18 vite me rradhë, i kanë zgjedhur për kryeministër të shqiptarëve, ndërsa shqiptarët tani do të na zgjedhin neve përfaqësues dhe kryeministër të tyre”, tha Sela, përcjell TV21.
Ai foli edhe për ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, që është pjesë e programit të koalcionit, e me të cilin do të mundësohet që, siç theksoi, rinisë shqiptare të mos i zihen vendet e punës me deklaratat e rrejshme të përkatësisë etnike.
Partneri tjetër i koalicionit “Tash është koha”, kryetari i Alternativës, Afrim Gashi, tha se nëse do të kishte mundur ta përkufizojë me një fjali qeverisjen 18-vjeçare të BDI-së, ajo do të ishte kështu:
“Ta marrësh votën e besimin e shqiptarëve dhe ta çosh atë votë e besim te maqedonasit, dhe bashkë me ta t’i sundodh dhe t’i shtypësh shqiptarët.prej 15 korrikut, kur fitorja do të jetë e Koalicionit, duke ia dhënë shqiptarët votat këtij Koalicioni, ju do të na i jepni neve votat por ne bashkë me ju do ta bëjmë betejën me maqedonasit, për ju” u shpreh Gashi.
Në tubimin e sontëm në Strugë pjesëmarrës ishin edhe përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje të Kosovës. Nga ta foli ish-kryeministri i Kosovës, Haki Abazi, i cili përcolli të fala të dërguara nga ish-kryeministri i Kosovës, kreu i VV, Albin Kurti. Abazi tha se në Maqedoni më 15 korrik duhet të vijë ndryshimi, ndërsa ndyshimi tha se vjen vetëm përmes bashkimit.
“Do ta përfundojmë epokën e nënçmimit, epokën e shërbimit të të tjerëve dhe do ti shërbejmë vetes” u shpreh Abazi.
Në tubim folën edhe kandidatët për deputetë të koalicionit “Tash është koha”./TV21
