Deputetët e Aleancës për Shqiptarët në krye me Zijadin Selën nga Kuvendi kërkojnë që të gjendet zgjidhje për Shkollën fillore të fshatit Nerovë të Komunës së Krushevës.
Atje fshatarët ndërtimin e objektit të ri shkollor e kanë nisur me vetiniciativë, për shkak se, sic thonë, objekti i vjetër nuk i plotëson kushtet elementare. Por nga komuna kanë thënë se objekti nuk është ilegal dhe se duhet ë rrënohet.
Sela në cilësinë e deputetit të zonës i bëri thirrje edhe Ministrisë së Arsimit që të ndërmerr masa për të ndaluar veprimet e Komunës për rrënimin e objektit, në të cilin aktualisht mësojnë 150 nxënës filloristë.
“I bëj thirrje Ministrisë së Arsimit, kryetarit të Komunës së Krushevës që urgjentisht të marrin të gjitha masat sa më shpejtë, të rregullohet dokumentacioni i kësaj shkolle dhe jo të ndalohen punimet në këtë objekt. Përkundrazi të vazhdojnë investimin e mëtutjeshëm me buxhetin e shtetit në mënyrë që kjo shkollë të përfundojë dhe këta nxënës të kenë kushte normale për mësim. Kam vizituar shkollën aktuale, e cila nuk plotëson as asnjë kusht për tu zhvilluar procesi edukativo-arsimor”, tha Sela.
Komunikuam edhe me kryetarin e Krushevës Tome Hristovski, i cili u zotua se do të shqyrtoj çdo mundësi që objekti i ri shkollor mos të rrënohet, por të vihet në shërbim të nxënësve dhe arsimtarëve.
Sipas Hristovskit, rreth 90% e objekteve në fshatrat e kësaj komune janë pa plan urbanistik, përfshirë edhe objektin e vjetër shkollor ku nxënësit aktualisht ndjekin mësimin.
Nga Ministria e Arsimit për TV21 thanë se Komuna e Krushevës nuk i ka njoftuar zyrtarisht për këtë çështje dhe tani do të ndërmarrin nismë për të komunikuar me autoritet komunale për këtë objekt.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk është njoftuar nga Кomuna e Krushevës për sfidën me arsimimin e nxënësve në fshatin Nerovë. Ne do të fillojmë komunikimin dhe do të informoheni për rezultatin”, thotë Ministria e Arsimit
Ndërkaq, në shenjë proteste, në objektin e shkollës së vjetër nxënësit ka dy javë që po e bojkotojnë mësimin, prej kur inspektorati komunal ndërpreu punimet në objektin e ri dhe paralajmëroi rrënimin e tij.
