Kryetari i ASH-së, Ziadin Sela, dorëzoi në Kuvend një propozim të ri të Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Tha se kjo e drejtë buron nga Kushtetua dhe është e paraparë me Marrëveshjen e Ohrit. Ai shtoi se ligji i propozuar i përfaqëson qytetarët dhe ua realizon të drejtat e tyre dhe jo një ligj “do si do”, i cili, sipas tij, ka për qëllim ta bëj të pazbatueshme. Sipas tij, ky Ligj është kauzë e ASH-së, me të cilën kanë bërë edhe fushatë në 2020 që është e drejtë e qytetarëve dhe jo e aktorëve politik dhe e qeverive dhe si e tillë duhet të respektuar.
“Përveç përfaqësimit etnik është i paraparë edhe përfaqësimi gjinor, përveç përfaqësimit gjinor është i paraparë edhe përfaqësimi i njerëzve me nevoja të veçanta. Kuptohet që në këtë ligj, risia është në disa kushte që parashihen sipas Entit të Statistikave në aspektin e regjistrimit të popullsisë, përfshihet direkt në Ligjin për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, është institucioni që pas çdo regjistrimi ndanë një dokument për çdo institucion në nivel qendror”, tha Sela.
I pyetur për këtë nismë, bashkëkryetari Izet Mexhiti tha se është lehtë të shkruhet lista e dëshirave nga opozita, por këtë nuk e ka bërë as Sela e as ai vetë kur ishin në strukturat e pushtetit. Mexhiti bëri thirrje që ligjin e dorëzuar nga Qeveria ta mbështesin gjithë deputetët shqiptarë, për të arritur votimin e dyfishtë të shumicës së etniteteve jo shumicë, formë e njohur si Badenter.
“Edhe unë edhe z.Sela kemi pasur shumë mundësi në të kaluarën, por nuk kemi bërë zgjidhje nuk kemi sjell ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Tash me u ulë anash e me shkruajt dëshira është lehtë, atë duhet të bëhen kur të jesh në Qeveri që duhet t’i negociosh me partnerët e Qeverisë, t’i imponosh zgjidhjet dhe ajo që është me rëndësi pas 25 viteve për herë të parë kjo çështje zgjidhet me ligj. Pra Ligj për përfaqësim adekuat të shqiptarëve në administratën shtetërore dhe publike dhe për herë të parë nuk do të merren drejtoritë e ministritë, por do të merret qeveria, trupi koordinues që do ta udhëheqë zëvendëskryeministri i parë”, deklaroi Mexhiti.
Përndryshe, Ligjin për përfaqësim të drejt dhe adekuat pasi kaloi në Komisionin e Venecias, Qeveria e dorëzoi në procedurë parlamentare. Draf-ligji fillimisht do të trajtohet në komisionin amë pastaj për të dalë para deputetëve dhe plotësimi i tij me amendamente evnetuale. Ndonëse ligji nuk parasheh sanksione për mos respektimin e tij, autoritete thonë se trupi koordinues i qeverisë pastaj do t’i specifikojë përmes zbatimit të akteve nënligjore.
