Sekuestrohet një ton 'kokainë e zezë'

TË FUNDIT

Një ton kokainë është sekuestruar nga policia kolumbiane në një avion që do të fluturonte drejt kryeqytetit meksikan. Agjentët e policisë kufitare në aeroportin e Bogotas “El Dorado” janë habitur kur qeni antidrogë ka diktuar lëndën në disa kuti, në të cilat shkruhej se përmbanin bojë për printera.

Ngarkesa prej 38 kutish ishte nisur për një kompani në Sinaloa, Meksikë. Policia tha se menjëherë pasi lënda u testua dhe rezultoi se ishte kokainë janë lajmëruar kolegët meksikanë, të cilët kanë sekuestruar një sasi të ngjashme “kokaine të zezë” në aeroportin e Meksikos, në një avion që ishte nisur nga Bogota pak orë më parë. Autoritetet në Kolumbi tashmë po bëjnë ndarjen e kokainës nga boja e printerit për të zbuluar peshën e vërtetë të lëndës së kapur.

Kolumbia është furnizuesi më i madh i SHBA-së me kokainë dhe shumica e lëndëve narkotike mbërrijnë në rrugët e Amerikës nëpërmjet karteleve meksikane të drogës.