Sekretarja amerikane e Punës, Lori Chavez-DeRemer largohet nga administrata e Trump

TË FUNDIT

Sekretarja amerikane e Punës, Lori Chavez-DeRemer, po largohet nga administrata e presidentit Donald Trump, njoftoi mbrëmë Shtëpia e Bardhë.

Kreu i komunikimeve në Shtëpinë e Bardhë, Steven Cheung, përmes platformës X bëri të ditur se Chavez-DeRemer do të kalojë në sektorin privat, ndërsa deri në njoftimin e radhës, Ministrinë do ta drejtojë zëvendësi i saj, Keith Sonderling.

Chavez-DeRemer është gruaja e tretë që largohet nga qeveria në shtatë javët e fundit. Ajo për muaj të tërë është përballur me presion për shkak të disa hetimeve. Sipas raportimeve të The Washington Post dhe mediave të tjera, hetimet janë fokusuar në shkelje të mundshme lidhur me përdorimin e fondeve buxhetore, si dhe akuza për sjellje të papërshtatshme gjatë ushtrimit të detyrës.

Ndërkohë, organe mbikëqyrëse në SHBA kanë nisur hetime pas ankesave për një ambient problematik pune në Ministri. Tre punonjëse e kanë përshkruar atmosferën si armiqësore, ku stafi përballet me hakmarrje, raportuan The New York Times dhe New York Post.

Sipas mediave, bashkëshortit të Chavez-DeRemer i është ndaluar hyrja në Ministri pas akuzave për sjellje të papërshtatshme seksuale ndaj punonjëseve.

Chavez-DeRemer i ka mohuar këto akuza.

Ajo ishte në detyrën e sekretares së Punës që nga marsi i vitit 2025, ndërsa më parë ka qenë anëtare e Kongresit si përfaqësuese nga shteti Oregon. Emërimi i saj u konsiderua i papritur për shkak të qëndrimeve të saj pro-sindikale.

Trump në fillim të marsit shkarkoi edhe sekretaren për Sigurinë e Brendshme, Kristi Noem.

Në fillim të prillit, edhe prokurorja e përgjithshme Pam Bondi, e kritikuar për mënyrën e trajtimit të rastit të Jeffrey Epstein, u detyrua të largohet nga detyra.