Mos prezenca e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ka sjellë tensione të larta edhe këtë seancë plenare, ku grupimi i Berishës bllokoi foltoren për tre orë.
“Grupimi Berisha” kërkoi ndryshimin e rendit të ditës në mënyrë që mocioni me debat për çështjen McGonigal të zhvillohej pa limit kohor dhe të flisnin të gjithë deputetët. Por kjo kërkesë nuk mori votat e nevojshme dhe u rrëzua.
Nga ana tjetër, sot pritej që të zhvillohej interpelanca mes kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Grupit të PD-së, Enkelejd Alibeajt mbi çështjen e zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal.
Kreu i qeverisë së Shqipërisë nuk ka shkuar në Kuvend dhe ia ka deleguar interpelancën ministres Elisa Spiropali, por kjo nuk është pranuar nga deputetët e PD-së, të cilët kërkojnë interpelancë me vetë Ramën dhe asnjë nga ministrat.
