Seanca plenare shtyhet për të hënën

Në Kuvendin e Kosovës po mbahet seanca e jashtëzakonshme pas kërkesës së 41 deputetëve. Kjo seancë po mbahet lidhur me zbrazjen e vendit nga të rinjtë, si rrezik që po i kanoset Kosovës që nga paslufta. Ndërsa, seanca plenare që ishte e paraparë të mbahej sot, është shtyerë për të hënën (më 15 prill), në orën 10:00.

Sipas njoftimit të Kuvendit, në seancë plenare ishte paraparë të shqyrtoheshin 51 pikat e mbetura nga seancat e kaluara. Po ashtu, ishin paraparë edhe dy interpelanca. Ajo e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate, në lidhje me mos-caktimin dhe rritjen e pagës minimale në Republikën e Kosovës dhe interpelanca e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, sipas kërkesës së kryetarit të GP-Partia Socialdemokrate, Dardan Sejdiu, i mbështetur edhe nga 11 deputetë, në lidhje me themelimin e Ndërmarrjes së Re Energjetike të Kosovës./21Media