Seanca e Kuvendit të Kosovës me tensione, hedhje uji, sharje, gaz lotsjellës!

TË FUNDIT

Me të hyrë në hollin e Kuvendit, opozita në Kosovë bëri veprimin e parë. Zbuloi fotografitë me motive kombëtare, të mbuluara tash e sa kohë. Opozita bllokoi seancën. Kjo bëri që kryekuvendari të kërkojë pauzë.

Si asnjëherë më parë, kryeparlamentari Veseli, ftoi mediat pranë foltores për t’iu thënë se nuk e lejon opozitën të krijojë dhunë dhe porositi atë që nëse ka guxim, të shkojë në Qeveri dhe jo në Parlament. Po, fjala e tij u tentua të ndërpritej nga opozita përmes fishkëllimave me pipëza.

Pas pauzës, nga kryesimi i Kuvendit u tërhoq kryparlamentari Veseli, duke ia lënë seancën në udhëheqje nënkryetarit, Xhavit Halitit. Nën zhurmën e fishkëllimave dhe pengesave të shumta të shkatuara nga ana e opozitarëve, filluan së miratuari disa projektligje.

Derisa po fliste shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, opozitarëve nuk iu mjaftuan vetëm fishkëllimat. Albulena Haxhiu ia ndali mikrofonin. Teksa miratoheshin projektligjet dhe merrte fjalën nënkryetari, Haliti, deputeti, Albin Kurti për të dytën herë hodhi ujë  në drejtim të tij. Veprim të njëjtë bëri edhe deputetja Haxhiu.

Përveç shefave të grupeve parlamentare PDK dhe LDK, Opozita u përpoq t’ua ndërpresë fjalën edhe deputetetëve, sikurse qe rasti i Muhamet Mustafës. Në këtë moment u panë tensione dhe kacafytje mes deputetëve. Disaherë, kryeparalmentari Veseli lëvizi nga ulësja e tij për t’i qetësuar deputetët, por prap kthehej prapa. Sërish u kërkua pauzë, por nuk e miratoi pozita dhe kështu nën tensione vazhdoi seanca.

Kacafytjet vazhdonin, ato u panë ndërmjet deputetit Armend Zemaj dhe Albulena Haxhiut, Albin Kurtit dhe Sabri Hamitit, por edhe ndërmjet deputetëve të tjerë. U vërejtën gjatë gjithë kohës biseda me telefonë të deputetëve të Vetëvendosjes dhe konsulta mes tyre. Ndërsa, në seancë mungoi deputeti Ilir Deda.

Papritmas, deputeti Albin Kurti, në seancë lëshoi gazin lotësjellës, që shkaktoi pasoja tek deputetët dhe të gjithë pjesmarrësit në seancë. U ndërpre miratimi i projektligjeve dhe deputetët lëshuan sallën, ndërsa teksa dilnin nga salla u dëgjuan sharje e fyerje.

Nga gazi lotëjellës pësoi deputetja Flora Brovina, e cila u dërgua fillimisht në zyren e kryeparlamentarit Veseli, e pastaj në ambulancë. U alivanos edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu Kodra. Ato u dërguan në Qendrën e Mjekësisë Urgjente në Prishtinë.

Ky është bllokimi i katërt i seancës të Kuvendit të Kosovës nga opozita, e cila po kërkon që kryeministri të tërheqë nënshkrimin nga marrëveshjet e fundit me Serbinë.

Liridona Xhemajli