Reshjet e shiut lanë së paku 15 njerëz të vdekur dhe shkaktuan ndërprerje masive të hekurudhave, rrugëve dhe transportit ajror në kryeqytetin financiar të Indisë, Mumbai.
Viktimat vdiqën kur një mur u rrëzua në orët e hershme të së martës pas reshjeve të vazhdueshme për dy ditë.
Autoritetet kanë shpallur të martën ditë pushimi dhe kanë kërkuar nga njerëzit që të qëndrojnë brenda, transmeton rtv21.tv.
Zyrtarët e Departamentit të Motit konfirmuan se këto janë reshjet më të mëdha të shiut në Mumbai në dekadën e fundit.
Viktimat ishin kryesisht punëtorë që punonin në një vend ndërtimi në zonën periferike të Maladit. Autoritetet thanë se muri ishte dobësuar pas disa ditë reshjesh./21Media

