Edhe pse regjistrimi i popullsisë ende nuk ka filluar, askush nuk po e shkel ligjin dhe askush nuk do të dënohet, thotë ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq. Ai shton se regjistrimi duhet të zgjasë 15 ditë dhe sipas ligjit, regjistrimi mund të fillojë edhe me disa ditë vonesë.
“Edhe nëse nuk fillon sot dhe nuk fillon në ditët në vijim, kjo nuk është shkelje, me rëndësi është që të përfundojë në kohë. Por e dimë se tashmë ekziston propozim ligj nga Qeveria i cili është dorëzuar në Kuvend me të cilin parashihet që regjistrimi të prolongohet dhe të mbahet nga 5 deri në 30 shtator”, deklaroi Mariçiq.
Qeveria propozim ligjin për prolongim e dërgoi në Kuvend me flamur evropian dhe procedurë të shkurtër. Kjo do të thotë se deputetët do të mund të debatojnë vetëm dy ditë, e më pas ligji automatikisht shkon në seancë plenare për votim.
“Nëse kolegët nga Aleanca dhe Alternativa kanë vërejtje thelbësore dhe serioze le t’i parashtrojnë në Komision dhe të shqyrtohen, të shohim çfarë ideje kanë. Nëse ideja e tyre është vetëm të prolongojnë për një apo dy ditë, atëherë nuk shoh arsye për këtë. Do të parashtrojnë amendamentet dhe për dy ditë do të shkojë në seancë plenare”, shtoi Mariçiq.
Mariçiq shton se arsyet për prolongimin e regjistrimit të popullsisë janë politike dhe shëndetësore.
“Që t’i japim mundësi imunizimit të popullsisë dhe regjistruesve dhe të gjithë që janë të përfshirë në regjistrim, ishte e kuptimtë që të prolongohet regjistrimi. Kjo u përputh me atë që kërkonte opozita që të prolongohet regjistrimi. D.m.th. u përputhën edhe arsyet shëndetësore edhe politike”, deklaroi më tej Mariçiq.
Mariçiq vlerëson se deri në shtatorë do të ulet numri i të infektuarve dhe do të rritet numri i të vaksinuarve dhe nuk do të ketë më prolongim të regjistrimit të popullsisë.
