Scholz mbron Greqinë nga kërcënimet e Turqisë

TË FUNDIT

Kancelari Olaf Scholz mori në mbrojtje Greqinë ndaj kërcënimeve të Turqisë lidhur me ishujt grekë në lindje të Mesdheut.

Nuk është e mundur, “që partnerët e NATO-s të venë në pikëpyetje sovranitetin e njeri-tjetrit”, tha Scholz gjatë vizitës me 27 tetor në Athinë.

Marrëdhëniet e mira mes Turqisë dhe Greqisë janë të rëndësishme jo vetëm për këto dy vende, por për të gjithë Europën. Problemet duhet “të zgjidhen në dialog dhe mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare”, theksoi ai.

“Nëse palët e konsiderojnë të nevojshme, Gjermania mund të kontribuojë”, ofroi kancelari Scholz.

Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis në konferencën e përbashkët të shtypit me Scholz akuzoi presidentin turk Rexhep Tayyip Erdogan se përhap  gënjeshtra për Greqinë.

Kryeministri deklaroi, përkundër akuzave nga Ankaraja, se nga ishujt grek “nuk vjen rrezik”.

Njëkohësisht ai deklaroi, se gjashtë tanke mbrojtëse Marder nga Gjermania do të dislokohen në kufirin me Turqinë. Ato do të vendosen në lumin kufitar të Evros në veri-lindje të vendit, tha Mitsotakis.