Schallenberg: Liberalizimi i vizave për Kosovën duhet të ndodhë

TË FUNDIT

Ministri Federal për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare të Republikës së Austrisë, Alexander Schallenberg deklaroi se liberalizimi i vizave për Kosovën duhet të ndodhë sa më parë.

Gjatë një konferencë të përbashkët për media të zhvilluar në Prishtinë me ministren e jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, Schallenberg deklaroi se në samitin e radhës mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor që do të zhvillohet më 23 qershor, ai do ta shtrojë temën e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Ai gjithashtu tha se duhet të hapen negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Vizita ime është bërë në këtë kohë qëllimisht, në rajonin që është shumë i rëndësishëm për Austrinë. Mendojmë që sulmi i Rusisë në Ukrainë është një thirrje për të zgjuar BE-në për të trajtuar synimin e anëtarësimit në BE. Është i rëndësishëm edhe premtimi që është dhënë para 19 vitesh në Selanik. Duhet të hapen negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe të liberalizohen vizat për Kosovën”, deklaroi Schallenberg gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ministren e jashtme Donika Gërvalla.

Kryediplomati austriak deklaroi gjithashtu se bisedoi me ministren Gërvalla edhe për procesin e dialogut Kosovë-Serbi, duke shtuar se është e natyrshme që në fund duhet të ketë normalizim të marrëdhënieve dhe njohje e ndërsjellë mes dy vendeve.