Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë ka rrëzuar mocionin e mbrojtjes së Hashim Thaçit, Kadri Veselt, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit përmes së cilit kërkuan rrëzimin e aktakuzës.
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, tha se heqja e periudhës para fundit të majit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999 do ta fragmentonte rastin.
Smith tha po ashtu se rregullat gjyqësore parashohin kundërshtim të pikave të aktakuzës si të tilla e jo kundërshtim të pikave të veçanta, siç ka bërë mbrojtja.
Mbrojtja e krerëve të UÇK-së kishte kërkuar rrëzimin e akuzave lidhur periudhën e aktakuzës.
Sipas avokatëve, në Kosovë nuk ka pasur konflikt pas qershorit 1999, dhe para fundit të majit 1998.
Si rezultat, ata kishin kërkuar të rrëzohen akuzat për incidente që janë kryer para ose pas këtyre datave.
