SBASHK: “A tutet arusha me shoshë”

TË FUNDIT

Edhe pse më 24 prill u konsiderua se çështja e pagesës së përvojës së punës për të punësuarit në arsim përfundimisht u zgjodh sipas Kontratës Kolektive të nënshkruar në prillin e vitit të kaluar mes MASHT-it e SBASHK-ut, sot sindikata e arsimit doli më një shkresë drejtuar ministrave Mahir Jagcilar, Avdulla Hoti dhe Arsim Bajramit, ku kërkojnë tërheqjen e listave të pagës për muajin prill dhe përmirësimit të tyre sipas marrëveshjeve dhe Kontratës Kolektive e lidhur me implementimin e 0.5 % për çdo vit shërbimi në pagën bazë.

“Fatkeqësisht ky gëzim yni zgjati shumë pak sepse të njëjtën ditë, në përfundim të orarit të punës, u lëshuan listat e pagave për muajin prill për të punësuarit në arsim në kundërshtim me Kontratën Kolektive, në kundërshtim me vendimin e Qeverisë dhe marrëveshjen e komisioneve MASHT- SBASHK” thuhet në shkresën e tyre.

Sipas tyre, në listat e pagave të prillit nga përafërsisht 29.000 të punësuar në arsim, në përvojë të punës janë përfshirë rreth 19.000, “e cila përvojë edhe për ta, në këto lista është llogaritur plotësisht gabim sepse nuk është marrë baza për arsimin fillor 405 euro, ndërsa për arsimin e mesëm 442 euro, e cila bazë aktualisht zyrtare e jo nga një bazë page sipas dëshirës së dikujt”, thuhet më tej në këtë shkresë.

Andaj Sindikata kërkon që këto lista të tërhiqen menjëherë nga kompetentët dhe të fillohet me punimin e listave ashtu si e kërkon Kontrata Kolektive dhe Vendimi i Qeverisë. Ata po ashtu kërkojnë të merren masa ndaj personave përgjegjës, që kanë lëshuar listat me siç thonë ata, gjithë ato gabime dhe në kundërshtim me Vendimin e Qeverisë dhe Kontratën Kolektive.

Ndonëse thonë se nuk duan të quajnë këtë si kërcenim ata njoftojnë se nëse nuk tërhiqen sot listat SBASHK-u do ta thërrasim në mënyrë urgjente sot në orën 16 mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Drejtues dhe do të shpall grevë të përgjithshme nga nesër. /21MEDIA