Saveski: Në parim, e mbështes vendimin e prokurores për ta ndërprerë hetimin në rastin “Mazut”

TË FUNDIT

“Reagimi i politikanëve më dukej i çuditshëm. Mendoj se është më mirë të ndërpritet hetimi sesa të ngrihet aktakuzë e cila më pas do të përfundonte, të themi, me aktgjykime lirimi”, thotë Prokurori Publik i Shtetit.

Po rrjedh afati prej 30 ditësh nga pranimi i ankesës së paraqitur nga “Elektranat e Maqedonisë së Veriut” (EMV), për të cilën Prokuroria e Lartë Publike e Shkupit duhet të japë qëndrim. Pas kësaj do të dihet nëse hetimi për rastin e furnizimit me mazut do të rihapet apo lënda do të mbetet e mbyllur. Këtë e deklaroi sot Prokurori Publik i Shtetit, Nenad Saveski, gjatë një brifingu me gazetarët për lëndën për të cilën mori më së shumti pyetje.

Saveski nuk deshi të japë detaje se te cili prokuror i lartë publik ka përfunduar konkretisht ankesa e EMV-së, edhe pse gazetarët insistuan të përmendej emri i prokurorit Jovan Cvetanovski, i cili kishte qenë i suspenduar për parregullsi të mundshme në shpërndarjen e lëndëve.

Ai theksoi se detyrimet e të gjithë prokurorëve janë të njëjta dhe se puna e prokurorisë nuk duhet të lidhet me një prokuror të caktuar. Sipas tij, sa herë që paraqiten rrethana të reja, hetimi mund të vazhdojë.

Savski konfirmoi gjithashtu se EMV-ja tashmë ka paraqitur kërkesë për kontroll të punës së prokurorisë, por një gjë e tillë do të bëhet pasi të përfundojë procedura para Prokurorisë së Lartë Publike.

Ai e përsëriti disa herë se vendimi për ndërprerjen e hetimit nuk është përfundimtar. Tha se, në parim, qëndron pas vendimit të prokurores nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e cila e ndërpreu procedurën hetimore për rastin “Mazut” për shkak të mungesës së provave.

Bëhet fjalë për një hetim lidhur me furnizimet me mazut që zgjati më shumë se një vit, deri në momentin kur, para tre javësh, prokurorja kompetente Katerina Kollareviq vendosi ta mbyllë. Të dyshuar janë 13 persona, mes tyre biznesmenët Ratko Kapushevski, Asmir Jahoski dhe Erxhan Sulkoski, ish-drejtori i ESM-së, Vasko Kovaçevski, si dhe persona të tjerë, për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe pastrim parash.

“Reagimi i politikanëve më dukej i çuditshëm. Mendoj se është më mirë të ndërpritet hetimi sesa të ngrihet aktakuzë e cila më pas do të përfundonte me aktgjykime lirimi”, tha Saveski.

Për kujtesë, më herët prokurorja Kollareviq, fillimisht në një brifing me gazetarët dhe më pas në një intervistë për “360 Stepeni”, deklaroi se provat e mbledhura gjatë hetimit nuk ishin të mjaftueshme për ngritjen e një aktakuze që do të mund të qëndronte në gjykatë.

Si u zhvillua biseda me kryeministrin për rastin “Mazut”?

Pasi më 12 maj u bë e ditur se PTP NKOK e kishte ndërprerë hetimin për rastin “Mazut”, një ditë më vonë kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se ishte i shokuar nga vendimi dhe se kishte biseduar me Prokurorin Publik të Shtetit, Nenad Saveski. Ky veprim, po aq sa edhe ndërprerja e hetimit, shkaktoi reagime në opinion, ndaj Prokuroria Publike njoftoi se Mickoski dhe Saveski kishin folur për herë të parë pikërisht atëherë dhe se nuk kishin diskutuar detaje të lëndës.

Saveski mbetet në qëndrimin se kushdo mund ta telefonojë.

“Kryeministri ka të drejtë të më telefonojë, më telefonojnë edhe qytetarë. Ka ndodhur dhe ai ka menduar se duhet të veprojë kështu. Nuk po arsyetohem, është logjike të telefonojë pasi ESM është ndërmarrje shtetërore. Më pyeti vetëm nëse vërtet ishte marrë ai vendim, unë ia konfirmova. Më pyeti nëse prokurorja e lëndës më kishte raportuar, i thashë se jo, sepse ajo kishte vlerësuar se nuk kishte nevojë. Më pyeti edhe për mundësinë ligjore dhe i thashë se mund të paraqitet ankesë”, tha Saveski.

Sa i përket deklaratave publike të ministrit Pançe Toshkovski se opinioni do të tronditet kur të publikohen detajet e rastit “Mazut”, për të cilat ai tha se për momentin nuk mund të flasë publikisht, Saveski u përgjigj se nuk dëshiron të komentojë deklaratat e personave të tjerë, qëndrim të cilin e përsëriti disa herë gjatë brifingut.

Ndërkohë, po zhvillohet edhe një procedurë parahetimore për ndotjen e shkaktuar nga mazuti. Saveski tha se po verifikohet nëse institucionet shkencore kanë ekspertë që mund të interpretojnë rezultatet e ekspertizave, ndërsa është vendosur kontakt edhe me një profesor të Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Matematikore pranë UKIM-it, i cili ka deklaruar se ka njohuri për leximin e analizave laboratorike të këtij lloji.

Artan Grubi ende nuk është marrë në pyetje

Gazetarët shtruan pyetje edhe për tema të tjera, ndërsa Prokurori i Shtetit u përgjigj me durim dhe kryesisht me rezervë. U hap edhe çështja e ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi, funksionar i lartë nga radhët e BDI-së, i cili ndodhet në arrest shtëpiak. Ai është në shtëpi që nga 23 shkurti, dita kur u kthye në vend pas më shumë se një viti arrati nga organet e ndjekjes.

Saveski tha se Grubi ende nuk është marrë në pyetje sepse ende po mblidhen prova. Mënyra dhe koha kur ai do të japë deklaratë varen nga prokurori i lëndës, i cili harton planin hetimor.

“Në këtë moment ende po mblidhen prova, që në një fazë më të pjekur, kur prokurori ta vlerësojë të nevojshme, ai të thirret dhe të përballet me provat. Është vlerësim personal i prokurorit nëse provat janë të mjaftueshme apo jo. Sa i përket paraburgimit, prokurori propozon, por gjykata vlerëson nëse kërkesa është e bazuar”, theksoi Saveski.

Grubi është i dyshuari i dytë në rastin “Lotaria Shtetërore”. Ai e kishte lëshuar vendin para se Prokuroria të hapte zyrtarisht hetimin dhe kishte arritur të kalonte në Kosovë pavarësisht se ndodhej në të ashtuquajturën “listë ndalimi”. Grubi kishte deklaruar se nuk ishte arratisur, por kishte qenë për vizitë private në Kosovë dhe se do të kthehej sapo t’i përfundonte obligimet.

I dyshuari i parë është ish-drejtori i “Lotarisë Shtetërore”, Përparim Bajrami, i cili ende nuk është i qasshëm për organet e ndjekjes.

Prokurori i Shtetit foli edhe për pretendimet e kryeministrit, i cili gjatë fushatës zgjedhore kishte deklaruar se 80 kallëzime penale “po mbahen në sirtar”. Ai tha se po kryhen kontrolle dhe mbikëqyrje të lëndëve të vjetra, ku janë përfshirë edhe prokurorët republikanë. Sipas tij, paraprakisht nuk rezulton të ketë shumë lëndë të vjetra dhe deri më tani askush nuk i ka raportuar se ndonjë prokuror ka zvarritur qëllimisht një rast.

“Asnjëherë nuk kërkoj dhe as nuk pres që prokurorët të veprojnë sepse dikush i kritikon publikisht”, tha Saveski.

Për rastet “Legalizimet masive të ndërtimeve pa leje në Çair” dhe “Mbikëqyrja e Bechtel/Enka”, Saveski tha se ende nuk është marrë vendim prokurorial. Edhe lëndët për spitalin modular dhe për Eurostandard Banka ndodhen ende në fazë hetimore.

Në fund të brifingut u shtrua pyetje edhe për tatuazhet e Prokurorit Publik të Shtetit. Ai është i njohur edhe për vizatimet e përhershme në gishtat e dorës së djathtë. Konkretisht, në gishtin e vogël ka tatuazhin “88”, për të cilin tha se është çështje private, por pasi gazetarët përmendën se mund të ketë edhe simbolikë neonaziste, ai u përgjigj se nuk kishte dijeni për një kuptim të tillë.

“Tatuazhi është çështje personale, e lidhur me mua dhe bashkëshorten time. Unë nuk mbaj unazë martese, ndërsa ky është simboli i engjëllit. Nuk ka kurrfarë simbolike fashiste, nuk kam ditur për një gjë të tillë”, tha Saveski.

Kuvendi më 18 mars të këtij viti e emëroi Nenad Saveskin Prokuror Publik të Shtetit, funksion në të cilin erdhi nga pozita e gjyqtarit në Gjykatën Themelore Penale të Shkupit.

Burimi: 360stepeni.mk