Samiti i BE-Ballkani Perëndimor në Tivat! Non-paper franko-gjerman për integrim gradual

TË FUNDIT

Non-paperi franko-gjerman është në fokus të Samitit BE–Ballkani Perëndimor që po mbahet në Tivat. Sipas këtij dokumenti, Komisioni Evropian duhet të përgatisë propozime për lehtësimin e integrimit gradual të vendeve kandidate në Bashkimin Evropian, përfshirë qasje të privilegjuar në tregun e përbashkët evropian në bazë të përparimit të tyre në negociatat e anëtarësimit dhe lidhje më të forta me institucionet evropiane. Në të theksohet se është e nevojshme vendosja e stimujve shtesë në procesin e bazuar në merita dhe thjeshtimi gradual i metodologjisë aktuale me qëllim që të mundësohet integrim më i shpejtë dhe më i thellë mbi bazën e kritereve të Kopenhagës. Franca dhe Gjermania propozojnë një qasje të re të orientuar drejt procesit, me çka do të përshpejtohej hapja e të gjitha klasterëve relevantë negociues kur këtë ta propozojë Komisioni Evropian. Kryeministri Hristijan Mickoski zhvilloi takim me kancelarin gjerman Friedrich Merz, ku është biseduar për këtë dokument.

“Këto janë momente kur praktikisht Bashkimi Evropian, përkatësisht Këshilli Evropian, thotë qartë se procesi i zgjerimit mbetet i gjallë. Ajo që është detyra jonë si Qeveri është që ta ruajmë atë proces, të përparojmë, por në të njëjtën kohë të mos e humbim dinjitetin, siç ishte shembull në dekadat e kaluara kur bëhet fjalë për aspiratat tona maqedonase për anëtarësim në kuadër të Bashkimit Evropian”, theksoi kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski.

Kryeministri i Bullgarisë, Rumen Radev, e përsëriti kërkesën për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, si kusht kryesor për anëtarësimin e vendit në Union.

“Bullgaria është e gatshme të ndihmojë çdo vend për anëtarësim, veçanërisht vëllezërit tanë nga Maqedonia e Veriut, të cilët duhet më në fund t’i përmbushin obligimet nga Korniza Negociuese. Kemi konsensus nga korriku i vitit 2024 dhe presim që ata më në fund ta ndryshojnë Kushtetutën dhe t’i përfshijnë bullgarët në të. Është shumë e thjeshtë. Duhet të bëjnë vetëm këtë hap që të hapet dera për procesin negociues”, u shpreh Rumen Radev – kryeministër i Bullgarisë.

Kryeministri i Shqipëria, Edi Rama, konsideron se anëtarësimi i plotë, e jo ndonjë formë pjesëmarrjeje, është opsioni më i mirë dhe më korrekt për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Kjo është sikur t’u thuash fëmijëve: derisa të rriteni do të qëndroni te fqinjët, e pastaj një fëmijë do të njohë një mafioz rus, një fëmijë tjetër do të mahnitet nga kukullat kineze dhe kur të rriten, nuk do të jenë më të gatshëm të kthehen te prindërit”, potencoi Edi Rama – kryeministër i Shqipërisë.

Presidentja e Komisioni Evropian, Ursula von der Leyen, tha se zgjerimi bazohet në merita, por se procesi i zgjerimit duhet të bëhet më i shpejtë dhe më kredibil.

“Nëse vendi kandidat zbaton reforma, ai duhet të arrijë përparim në mbylljen dhe hapjen e kapitujve dhe klasterëve në rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian. Dhe procesi i zgjerimit duhet të jetë më i dukshëm. Vendet kandidate duhet t’ua shpjegojnë qytetarëve të tyre përfitimet nga zgjerimi”, tha Ursula Von Der Leyen – presidente e KE-së.

Sipas paralajmërimeve, liderët e rajonit dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, përveç tjerash, do të diskutojnë edhe për Planin e Rritjes, me ç’rast pritet që BE-ja ta konfirmojë sërish mbështetjen e saj të plotë për perspektivën evropiane të rajonit.