Duhet t’i rinisim projektet energjetike të harruara si “Çebren” dhe “Galishtë”, sepse nevoja për energji elektrike në nivel botëror do të rritet. Këtë e theksoi kryeministri Hristijan Mickoski nga Forumi Ekonomik Botëror që po mbahet në Davos të Zvicrës. Në videomesazh, Mickoski theksoi se ka pasur takime të suksesshme dhe frymëzuese me një numër të madh kompanish shumëkombëshe, ku janë diskutuar tema nga fusha e energjetikës, shëndetësisë dhe teknologjisë së lartë. Ai vuri theks të veçantë në panelin për energjetikë, ku ishte pjesëmarrës aktiv dhe folës së bashku me sekretarin amerikan të Energjisë, Chris Wright.
“Në vitet në vijim, nevoja për energji në botë do të rritet, por nevoja për energji elektrike do të rritet dy herë e gjysmë më shpejt. Këtu ne, si Maqedoni dhe si shtet, nuk guxojmë të jemi vëzhgues të heshtur, por duhet të jemi faktor aktiv dhe pjesëmarrës aktiv. Prandaj duhet t’i rinisim sërish projektet energjetike ndoshta të harruara nga e kaluara, si “Çebren”, “Galishtë”, “Boshkov Most” dhe të tjerat, dhe t’ua ofrojmë potencialin për investime në burime të rinovueshme të energjisë një numri të madh investitorësh që kanë treguar interes të qartë”, tha Hristijan Mikcoksi, kryeministër.
Sipas Mickoskit, në dhjetë vitet e ardhshme në nivel botëror duhet të ndërtohen kapacitete që do të prodhojnë gjithsej 40 mijë teravat-orë energji elektrike. Ai thotë se kjo është pesë mijë e pesëqind herë më shumë energji elektrike sesa konsumi aktual i Maqedonisë dhe afërsisht aq sa konsumojnë së bashku Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe Japonia.
“Zhvillimi i njerëzimit do të përfshijë zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe, bashkë me të, edhe qendrat e të dhënave, të ashtuquajturat data-qendra, të cilat nuk funksionojnë me energji të përgjithshme, por me energji elektrike. Këto janë tre fakte shumë të rëndësishme dhe ne si shtet duhet ta ndjekim këtë hap dhe në këtë drejtim ta zhvillojmë ekonominë tonë”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Mickoski porositi se duhet ta diversifikojmë portofolin tonë dhe, nga një ekonomi që bazohej në zhvillimin e industrisë automobilistike, të shndërrohemi në një faktor të rëndësishëm në sektorin e energjetikës.
