Samit Digjital i Ballkanit Perëndimor në Shkup, Mickoski: Deri në fund të mandatit, të gjitha shërbimet publike të digjitalizuara

TË FUNDIT

Të mos ketë më pritje në sportele, në të ardhmen secili të mund të marrë dokumente onlajn, studentët të marrin libra, e nënat më lehtë t’i regjistrojnë fëmijët në çerdhe. Këto janë vetëm një pjesë e mundësive që planifikohet të zbatohen, për çka kryeministri Hristijan Mickoski foli në fjalimin e tij në Samitin e 7-të Digjital për Ballkanin Perëndimor që mbahet në Shkup. Tha se ky është fillimi i një revolucioni digjital dhe paralajmëroi se deri në fund të mandatit të gjitha shërbimet publike të jenë të qasshme onlajn.

“Çdo qytetar do të ketë identitet digjital dhe qasje te të gjitha institucionet përmes telefonit mobil. Do të krijojmë gjenerata me shkathtësi digjitale, nxënës, të cilët do të jenë konkurrues me bashkëmoshatarët e tyre në Evropë. Do të ndërtojmë sistem të sigurisë kibernetike që do të garantojë besim në shoqërinë digjitale”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.

Ministri për tranformim digjital, Stefan Andonovski, theksoi se iniciohet roaming falas me vendet europiane.

“Të nxitur nga këshilli rajonal për bashkëpunim, ne punuam për një deklaratë të përbashkët e cila do të bëjë thirrje ndaj Bashkimit Evropian dhe ndaj të gjithë fqinjëve tanë që të mundësojmë iniciativën “Roaming si në shtëpi”, të ulim shpenzimet për të dhëna, shpenzimet për biseda telefonike dhe sms mesazhe të qytetarëve nga Ballkani Perëndimor në tërë Evropën”, u shpreh Stefan Andonovski – ministër për transformim digjital.

Sekretari i përgjithshëm i Këshillit për bashkëpunim rajonal, Amer Kapetanoviq, përveç për roaming të lirë me Evropën, tha se punohet për integrim të plotë të tregut digjital të Ballkanit Perëndimor në tregun digjital të Bashkimit Evropian.

“Punojmë gjithashtu për vendosjen e “portofolit digjital” në Ballkanin Perëndimor, lidhjen e portofolëve digjitalë, gjegjësisht atë lloj të interoperabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe në fund qëllimi ynë është të lidhemi me tregjet e përbashkëta digjitale me Bashkimin Evropian”, theksoi Amer Kapetanoviq – Këshilli për bashkëpunim rajonal.

Ky është hera e dytë që Samiti Digjital i Ballkanit Perëndimor mbahet në Shkup, pasi i tillë në vend për herë të parë u mbajt në vitin 2018.